Pesë kamionë janë të ngarkuar me ndihma mjekësore dhe janë në pritje në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të enjten, duke e mirëpritur njoftimin e Izraelit se nuk do ta bllokojë hyrjen e ndihmave në territorin palestinez.

“Kamionët tanë janë të ngarkuar dhe të gatshëm për nisje”, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për media.

Ai ka thënë se shpreson që furnizimet do të shpërndahen shpejt, pas hapjes së pikës kufitare Rafah, duke e përmendur të premten si ditën më shpresëdhënëse.

Kjo pritet të jetë hera e parë që dërgohet ndihmë në Gaza, prej kur Izraeli pati vendosur “bllokadë totale” në Rripin e Gazës, shtëpi për 2.3 milionë banorë.

Banorët atje kanë mbetur pa furnizime me ushqim, ujë dhe naftë – sipas vendimit izraelit – si përgjigje ndaj sulmeve shkatërruese të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor.

Prej asaj dite, Izraeli ka kryer edhe sulme ajrore kundër Hamasit.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për “katastrofë humanitare”.

/TV Malisheva

Share.