Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mori një vendim për të emërtuar versionet e virusit korona me shkronjat e alfabetit grek në një përpjekje për të thjeshtuar shqiptimin dhe për të shmangur stigmatizimin e vendeve që raportojnë llojin e ri.

Kështu, katër variante të virusit korona, të cilat agjencia e OKB-së i konsideroi shqetësuese dhe të cilat në përgjithësi janë të njohura për publikun si britanik, afrikano-jugor, brazilian dhe indian, tani u janë dhënë shkronjat Alpha, Beta, Gamma, Delta sipas renditjes e zbulimit, raporton Reuters.

Variantet e tjera vazhdojnë më tej në rend alfabetik. OBSH zbuloi emra të ri sot pas kritikave që emra si B.1.351, 501I.V2 dhe 20H / 501I.V2, ishin shumë të ndërlikuar.

Zgjedhja e alfabetit grek pasoi muajt e diskutimeve në të cilat ekspertët shqyrtuan mundësi të tjera të tilla si perënditë greke dhe emrat e sajuar pseudoklasik, sipas bakteriologut Mark Palen, i cili ishte i përfshirë në bisedime.

Historikisht, viruset shpesh kanë qenë të lidhura me vendet që mendohet se kanë origjinën, të tilla si Ebola, të emërtuara pas lumit kongolez me të njëjtin emër.

Por kjo mund të jetë e dëmshme për vendet dhe shpesh e pasaktë, siç ishte rasti me të ashtuquajturën pandemi të gripit spanjoll të vitit 1918, origjina e së cilës nuk dihet, shkruan Reuters.

“Asnjë vend nuk duhet të stigmatizohet për të zbuluar dhe raportuar variante,” tha epidemiologia e OBSH-së Maria Van Kerhove./TV Malisheva

Share.