Kombet e Bashkuara janë duke u kërkuar vendeve anëtare që të kontribuojnë me 1 miliard dollarë për t’iu ndihmuar miliona njerëzve të prekur nga tërmeti që ka lënë të vdekur mbi 42.000 njerëz në Turqi dhe Siri.

“Sot Kombet e Bashkuara janë duke bërë thirrje për ndihmë humanitare prej 1 miliard dollarësh për popullin e Turqisë, që është duke vuajtur nga tërmeti më shkatërrues që e ka goditur këtë shtet në shekullin e fundit”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Ai ka thënë se rreth 5.2 milionë njerëz kanë nevojë për këto fonde, shkruan REL, përcjell /TV Malisheva. 

“Turqia është shtëpia e numrit më të madh të refugjatëve në botë dhe ka treguar bujari të madhe me fqinjët e saj sirianë përgjatë viteve”, ka thënë Guterres.

“Tani është koha që bota ta mbështesë popullin e Turqisë – ashtu siç ata kanë treguar solidaritet me vendet tjera që kanë kërkuar ndihmë”.

“Njerëzit janë duke vuajtur dhe nuk kemi kohë për të humbur” ka thënë Guterres, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndajë fonde për t’iu përgjigjur një prej “katastrofave më të mëdha natyrore të kohës sonë”.

Tërmeti i parë, 7.7 shkallë i Rihterit, ka goditur Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt, i përcjellë disa orë më vonë nga një tërmet 7.6 shkallë.

Më shumë se 42.000 njerëz kanë vdekur në të dyja vendet, derisa mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.

/TV Malisheva

Share.