Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi sot një rezolutë, nëpërmjet së cilës kërkohet që Rusia, duke pushtuar Ukrainën, të shpallet përgjegjëse për shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe për pasojë të paguajë edhe dëmshpërblimet për dëmet e luftës.

Gjatë votimit në OKB, ku bëjnë pjesë 193 shtete anëtare, 94 votuan pro, 14 kundër, ndërsa 73 shtete abstenuan.

Shqipëria votoi pro kësaj rezolute, ndërsa Serbia abstenoi në votën e saj, duke konfirmuar edhe njëherë afërsinë me Rusinë duke qenë shteti i vetëm ballkanik që refuzon të dënojë agresionin e paprovokuar rus në Ukrainë.

Kjo rezolutë pati një nivel më të ulët mbështetje, krahasuar me 5 rezolutat e tjera për Ukrainën, të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Rezoluta pasqyron nevojën për të krijuar “një mekanizëm ndërkombëtar për kompensimin e dëmeve”, që rrjedhin nga “veprimet e gabuara” të Rusisë kundër Ukrainës.

Rezoluta rekomandon që vendet anëtare të Asamblesë, në bashkëpunim me Ukrainën, të krijojnë “një regjistër ndërkombëtar” për të dokumentuar pretendimet dhe informacionet mbi dëmet, humbjet ose dëmtimet e ukrainasve dhe qeverisë, të shkaktuar nga Rusia.

E drejta e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh ka bllokuar organin më të fuqishëm të OKB-së, që të ndërmarrë veprime, që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin. Por vetoja nuk vlen gjatë votimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk janë ligjërisht detyruese, por ato, gjithsesi, pasqyrojnë opinionin botëror, i cili ka qenë kundër veprimeve ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës.

Share.