Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se të gjitha Grupet Parlamentare kanë kërkuar të mërkurën që të raportojë kryeministri Albin Kurti për gjendjen në veri dhe për raportet me aleatët ndërkombëtarë në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deputeti Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, theksoi se si parti nuk do të qëndrojnë duarkryq, duke shtuar se duhet të sanohet dëmi i shkaktuar nga Qeveria pas sanksioneve nga Amerika.
Tahiri: Situata e dëmshme, e papranueshme dhe ne nuk dot të qëndrojmë duarkryq
“31 maj i këtij i viti e gjen Kosovën në një pozicion shumë të dëmshëm dhe të palakueshëm. Pra, një vend që është çliruar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka shpallur pavarësinë pikërisht me mbështetjen e SHBA-ve dhe sot pra 31 maj e gjen vendin tonë në ballinat e gazetave më të mëdha botërore si: BBC, CNN e shumë media të tjera ndërkombëtare si një vend i cili tashmë është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është e dëmshme, e papranueshëm dhe karshi kësaj situate, ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq. Prandaj, ti marrim përgjegjësitë në duart tona dhe angazhimin në mënyrë që të arrijmë të sanojmë dëmin të cilin e ka shkaktuar nga kjo qeveri dhe kryeministri Kurti”, theksoi ai.
Pas sanksioneve të para të NATO-s për anulimin e ushtrimeve “Defender Europe 2023”, Ai tha se agjenda ndërkombëtare e Kosovës është dëmtuar shumë dhe paralajmërimet e SHBA-ve për pozicionin që kanë marrë ndaj Kosovës janë shqetësuese dhe të dëmshme.
Tahiri: E dhimbshme që vendi ynë për herë të parë nuk merr pjesë në ushtrimin e NATO-s
“Është e papranueshme dhe shumë e dhimbshme që vendi ynë për herë të parë nuk merr pjesë në një ushtrim të rëndësishëm të NATO, siç ishte “Defender Europe 2023”. Dhe tashmë përjashtohemi për shkak të veprimeve të qeverisë, nga një angazhim i madh që ka të bëjë pikërisht me angazhimin tonë në anëtarësimin në NATO. Pra, si vend, agjenda jonë ndërkombëtare është dëmtuar shumë dhe raportimet e fundit nga mediat, dhe vetë ambasadori amerikan për pozicionin që e kanë marrë karshi Republikës së Kosovës, janë shqetësuese dhe dëmshme. Pra, me kosto shumë të madhe dhe do të na marrin me vite për të arrit të kthehemi aty ku kemi qenë”, theksoi ai.
Deputeti Tahiri ka thënë po ashtu se kryeministri Albin Kurti duhet sa më parë të raportojë në Kuvend për gjendjen në veri.
Tahiri: Të raportojë në Kuvend, Kurti për gjendjen në veri
“Si Grupe Parlamentare kemi kërkuar që ta kemi një raportim së më të shpejt të kryeministrit për gjendjen në veri dhe në raport me aleatët tanë dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si grupe parlamentare dhe opozitare kemi kërkuar që në momentin e parë që kryeministri do të kthehet nga Samiti në Bratislavë, të vijë para deputetëve të kuvendit dhe të raportoj për të gjitha zhvillimet dhe për atë së çfarë do të ndërmarrë në një të ardhme të afërt. Nuk ka kuptim që të mbahen seanca të tjera të rregullta në këtë gjendje çfarë është krijuar pa e pasur një raportim nga kryeministri i Kosovës. Kjo është mbetur në dorën e kryetarit që ta koordinojë këtë me kryeministrin”, theksoi ai.
Deputeti Tahiri foli po ashtu edhe për qëndrimin e PDK-së për kryetarët e ri të zgjedhur në katër komunat veriore, i cili tha se ky subjekt nuk e konteston legjitimitetin e tyre, por shtoi se kjo parti kërkon që mos të ketë eskalim të situatës dhe përkeqësim të raporteve me SHBA-të.
Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
/TV Malisheva