Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka diskutuar të enjten lidhur me zhvillimet e fundit në Komunën e Deçanit, me ç’rast deputetë të opozitës kanë kritikuar Kryeministrin, Albin Kurti dhe institucionet përkatëse për keqmenaxhim, papërgjegjësi dhe neglizhencë të situatës.

Por deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se Komuna e Deçanit do të duhej të lajmëronte Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (MEA) në momentin që është rritur numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe nuk ka pasur mundësi të përballoj situatën.

Ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili tha se Komuna e Deçanit është vonuar pak për të lajmëruar institucionet përkatëse lidhur me situatën e krijuar.

Duke dashur të mbrojë Kryeministrin Kurti nga kritikat e deputetëve të opozitës përshkak të qëndrimit të këtij të fundit në Greqi në kohën kur Deçani po përballet me gjendje emergjente, Dugolli tha se ‘niveli qendror nuk është ‘Zot’ për të ditur se ç’po ndodh në Deçan pa pasur një raport zyrtar nga komuna në fjalë.

“Unë po them që Komuna e Deçanit në aspektin profesional ka menduar se e përballon vet, u vonua pak për me t’i lajmëruar hallkat tjera. Nuk mundet niveli qendror, sepse nuk është Zot me e ditë derisa nuk ka një raport zyrtar dhe kërkesa zyrtare ‘nuk po mundem me përballu këtë situatë’. Aktivizohet mekanizmi adekuat AME. A e din kryetar që AME-në fare nuk e kanë lajmëru, unë kam informacion zyrtar se nuk kanë pasur kërkesë zyrtare që nuk kanë pasur kërkesë zyrtare prej kryetarit të komunës tek Agjencioni për Menaxhimin e Krizave në MPB”, tha ai.

Por, ishte kryetari i komisionit, Bekë Berisha, i cili duke iu kundërpërgjigjur Dugollit tha se veprimet e qeverisë janë të vonuara dhe se në raste të tilla nuk duhet të pritet për njoftime e shkresa zyrtare.

“Qeveria jote quhet ekzekutiv se merr veprime. Na po mendojmë që nuk mundet Komuna e Deçanit me e përballu këtë situatë, duhet të thirret Këshilli i Sigurisë Kombëtare që e kryeson kryeministri dhe krejt akterët e sigurisë me u aktivizu dhe me e mbyllë këtë temë. Askush s’po i thotë asgjë, Zoti ta ruajt kryeministrin. (Dugolli: Edhe do ta ruaj). Janë vonuar veprimet. Nuk ka nevojë askush me e thirr askënd. Kosova është një grusht vend, dihet krejt çka janë nevojat. Unë e kom ditë sa është numri i të helmuarve, nuk më ka thirrë askush me më tregu. E po u dashka me ardhë dikush me më thirre[…] Këtu janë çu me i ndihmu Peja, Prishtina, Dragashi, Klina dhe Prizreni me vitra e nuk po e din një institucion përkatës për emergjenca fare çka me bë”, tha Berisha.

Deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi tha se nuk janë aty për të thirrur Këshillin Kombëtar të Sigurisë, teksa kërkoi nga deputetët e opozitës që të lihet kryeminsitri t’i kryejë punët e tij.

“Lëreni kryeministrin t’i kryej punët e veta sepse janë ministritë përkatëse, janë institucionet përkatëse që janë përgjegjëse me i zbatu këto ligje, këto procedura”, tha ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica tha se duhet të kërkohet llogari nga ata që kanë marrë besimin e qytetarëve e që u treguan neglizhentë karshi situatës së krijuar në Deçan.

“Shumë ka papajtueshmëri dhe shumë ka neglizhenca. Ka papërgjegjësi sa që vërtet është shqetësuese. Ndodhemi para situatave që mund të kenë pasoja edhe më të mëdha[…]do të duhej të kërkohej nga ky komision përgjegjësi për të gjithë ata që kanë marrë besimin e qytetarëve që të sqarojnë këto rrethana[…]Për mua është shqetësuese kjo neglizhencë dhe papërgjegjësi e Kryeministrit Kurti dhe gjithë atyre që kanë përgjegjësi për këtë”, u shpreh ai.

Kritik ndaj nivelit qendror për menaxhimin e situatës në Deçan ishte edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili tha se mungesa e një koordinimi të mirë institucional ka bërë që ende të mos dihet shkaktari i situatës atje.

Ai tha se duhet një mobilizim i fuqishëm, pasi ngjarjet që po ndodhin në komunën e Deçanit edhe mund të përsëriten.

Quni theksoi se jo rastësisht është ngritur Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i cili ende nuk është thirrur nga Kryeministri Kurti.

“Përderisa nuk ke kemi një aktivizim të koordinuar të institucioneve, tani edhe është kjo gjendje që ne ende nuk e dimë shkaktarin që po shqetëson qytetarët. Kjo edhe mund të kalojë dhe ne kurrë të mos e kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Kjo nuk do të ishte mirë për ne, sepse këto gjëra mund të përsëriten e mund të jenë edhe më komplekse, ku ne prapë do të jemi në sprovë dhe kështu humbet besimi. Në rrethana të tilla duhet me pas parasysh që zhvillohet një luftë speciale, krijohet një teren i përshtatshëm manovrimi i shërbimeve të ndryshme dhe krijohen dezinformata. Është mirë që një ndër detyrat e Këshillit Kombëtar të Sigurisë është edhe informimi[…]Na duhet një mobilizim më i fuqishëm i të gjithë anëtarëve pa marrë parasysh partinë politike, sepse jam mëse i bindur që ngjarjet që po ndodhin në Deçan nuk i rrezikojnë vetëm anëtarët e një partie politike, por janë të rrezikuar të gjithë qytetarët e asaj ane”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli kritikoi edhe pozitën edhe opozitën që po lidhen me emrin e Kryeministrit Kurti, duke thënë se duhet të respektohen institucionet për atë që janë e të mos atakohen individët.

“Unë e kam vërejtur, pa të keq, por brenda Vetëvendosjes mendojnë se gjithçka është Albini. Pa Albinin s’ka kurrgjë hiç. Më vjen keq, është edhe opozita që po thotë se Qeveri pa Albinin s’ka. Na duhet me u mësu me u respektu institucionet. Duhet të funksionojmë institucioni si institucion dhe mos të atakojmë shumë individin qysh ka një tendencë që gjithçka me ataku një individ. Secili ka detyra”, tha ai.

Humolli kritika pati edhe për dërgimin e disa mostrave për analiza laboratorike më të specifikuara jashtë vendit, për çka kishte njoftuar Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të mërkurën.

Ai thekson se Kosova duhet të ndërtojë infrastrukturë të përshtatshme për analiza laboratorike teksa pyeti “Pse të mos thërrasim ekspertët e Shqipërisë”.

“Pash dje ‘e kemi çuar’, tha ‘mostrat në shtete të huaja me bo analizë’. Pse ne të mos ndërtojmë infrastrukturën për të bërë analizë këtu? Kur ka mundësi blerjeje me dhjetëra – dhjetëra vetura të shtrenjta pse na të mos blejmë teknologjinë që ne t’i bëjmë analizat këtu dhe më tutje për ekspertizë t’i çojmë edhe në ndonjë shtet tjetër. Fatkeqësia po duhet me na hap sytë. Institucioni nuk e ka për detyrë fatkeqësia me ia hap sytë… Në qoftë se funksionon kjo logjikë që shpeshherë na mes vete të bëhemi luanë ndaj njëri-tjetrit e pula të lagta ndaj të huajve na s’kemi mundësi të bëhemi shtet… Na po bisedojmë për qeverinë por pa të keq edhe na si Komision kemi dështuar. A është dashur në momentin e parë të mobilizohemi si Komision. Kjo është përgjegjësia edhe e imja, jo vetëm e Bekës (Berisha – kryetar i Komisionit). Me thirrë Bekën hajde thirre Komisionin tonë…. Bashkëpunimi me shtetin shqiptar nuk është në nivel. Shteti shqiptar ka ekspertë teknologjisë të rangut ndërkombëtar e botëror dhe prapë qeveritarët tanë shkojnë i besojnë një institucioni që bën vaki nuk mund t’i kontrollojë, t’i dijë. Pse të mos thërrasim ekspertët e Shqipërisë”, shtoi ai.

Ndërsa deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq kërkoi që të mos paragjykohet me situatën dhe të mos politizohet me situatën e krijuar në Deçan.

“Sot kemi pasur komisionin për Inteligjencë , ku drejtori ka raportuar në lidhje me situatën në Deçan, dhe ajo që dëgjuam sot, sipas informatave, nuk është në pyetje faktori njeri, por bëhet fjalë për kontaminim të ujit[…]Ju bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë, më e rëndësishmja tani është shëndeti i qytetarëve, që jetojnë në Deçan, askush të mos e paragjykojë situatën dhe mos ta politizoj këtë rast.”, tha ai.

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci kujtoi sesi në institucionet e vendit janë bërë prova ku është testuar siguria, me ç’rast kanë kaluar edhe eksplozivë, gjë që siç tha ai, ka vërtetuar se siguria në objekte të ndryshme është e brishtë.

Për këtë, ai rekomandoi që të thirret Departamenti për Siguri Publike dhe të diskutohet për çështjen e Deçanit./TV Malisheva

Share.