Opozita po pret që shkarkimi i bordit të ZRrE-së të rekomandohet nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Kështu tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Po presim që sot, komisioni përkatës funksional, i cili besoj është ende në mbledhje të marrë vendim, pra t’i rekomandojë Kuvendit shkarkimin e këtij institucioni”, tha ai.

Në rast se ky komision nuk e rekomandon shkarkimin e bordit të ZRRE-së, Gashi tha se do të tentojnë ta arrijnë këtë në rrugë tjera.

“Ne presim që sot komisioni përkatës ta rekomandojë shkarkimin. Nëse nuk e rekomandon komisioni, atëherë do të shohim rrugë tjera”, shtoi Gashi.

Në anën tjetër PDK-ja e cilëson vepër penale atë që ZRRE-ja ka bërë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, tha pas mbledhjes së kryesisë se kanë marrë njoftim zyrtar nga Prokuroria Speciale që një çështje e tillë tashmë po hetohet.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga pozita.

Deputeti Armend Muja tha se kërkesa e PDK-së ishte jo ligjore.

“Gjykata nuk ka marrë vendim që me kthy në pikën zero. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e PDK-së që të pezullohet vendimi deri sa të ketë aktgjykim të formës së prerë. Baza e kërkesës është e paligjshme”

“Është në vazhdën e traditës së tyre. Çdo bord që s’iu shkon për shtati këta lypin me e shkarku”, tha Muja.

Bordi i ZRrE-së, aktualisht është duke raportuar para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pas situatës së krijuar nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit, për tarifat e reja të energjisë.

/TV Malisheva

Share.