Mesditën e të shtunës Partia Demokratike e Shqipërisë organizon protestën e pestë që prej rikthimit të Sali Berishës në krye të saj. Opozita në Tiranë i sheh takimet e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, si një aferë korruptive me qëllim shkatërrimin e saj.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se protesta e ditës së nesërme dhe thirrja e saj ka një impakt të jashtëzakonshëm tek qytetarët shqiptarë dhe pritet me një interes të madh në mbarë botën.

Berisha: Edi Rama është i pashpresë

“Kjo është një protestë me të cilën shqiptarët i përgjigjen flakë për flakë, ‘Ëatergatit’ të shekullit të 21, njërit prej skandaleve më të mëdha të kohërave, reagojnë për largimin e kryeministrit i cili për karrigen e tij nuk ngurroi të korruptojë dhe ta përdorë si vrasës me pagesë, zbuluesin, ndoshta më të rëndësishëm të planetit. Përmasat e aferës e shumëfishojnë çdo ditë interesin për protestën e shqiptarëve, sikundër theksoj këtu se Edi Rama është absolutisht i pashpresë. Ai ka fshehur krimin para drejtësisë shqiptare dhe asaj të SHBA”, deklaroi Berisha.

Berisha pati edhe një paralajmërim për policinë dhe Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH) në lidhje me angazhimin e tyre gjatë së shtunës.

Berisha: Çdo protestues i lënduar do të konsiderohet i persekutuar politik

 

“Në protestën e nesërme, paralajmëroj policinë të mbajë qëndrimin më korrekt. Çdo protestues i lënduar, do të konsiderohet i persekutuar politik dhe persekutori i tij do të përgjigjet edhe pas 30 vitesh. Paralajmëroj policinë, punonjësit e SHISH, të kenë shumë kujdes, madje të mos futen fare ne turmë”, deklaroi Berisha.

 

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës së opozitës ditën e shtunë. Ai shtoi se populli do të jetë në shesh për të kërkuar llogari.

Sipas tij, fshehja e dëshpëruar e Edi Ramës me javë të tëra dhe shmangja e llogaridhënies dhe transparencës përpara parlamentit me shpresën e mjerë se mund të kalojë situatën janë thjesht një iluzion i një të mbyturi që kapet pas fijes së barit.

Meta: Populli e ka marrë vendimin për Ramën

 

“Populli është vetëm ai që jep pushtet por edhe ja heq pushtetin atij, që e përdor vetëm për të grabitur paratë e popullit dhe për të shitur interesat e tij. Populli i Shqipërisë jam i bindur se e ka marrë vendimin. Ai s’mund të lejojë kurrë që Edi Rama të vazhdojë të trajtojë zyrën e kryeministrit si një çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Populli s’mund të lejojë kurrë që zyra e kryeministrit të përdoret për korrupsion politik dhe financiar pa fre, në vend që duhet t’i jepte zgjidhje shqiptarëve për të luftuar varfërinë dhe papunësinë”, deklaroi Meta.

 

Meta tha së Rama është përgjegjës për shumë skandale të tjera si dhe krizën që është në Shqipëri.

Ai tha se drejtësia duhet të merret me kryeministrin shqiptar për veprimet e tij shumë të rënda kundër kushtetutës, pluralizmit dhe demokracisë si dhe për grabitjen masive financiare me miliarda euro.

Meta: Rama, shkaku kryesor i mjerimit

“Edi Rama është sot shkaku kryesor i mjerimit të shumanshëm të shqiptarëve të ndershëm dhe punëtorë. Edi Rama është përgjegjësi kryesor për shpopullimin e Shqipërisë por dhe njëkohësisht për mbipopullimin e burgjeve të Shqipërisë. Shqipëria dhe populli shqiptar janë këtu në mijëra vjet dhe këtu do të jenë në jetë të jetës dhe nuk do të lejojnë kurrë që një gjakprishur antishqiptar të trondisë ekzistencën e tyre”, deklaroi Meta.

Ndërkohë, 1500 efektivë të policisë së shtetit do të jenë në terren ditën e shtunë për protestën e thirrur nga opozita Nga ora 12:00 që nis protesta, do të jetë i bllokuar Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe të gjitha drejtimet që lidhen me bllokun e rrugës së Elbasanit.

/TV Malisheva

Share.