Letra e dërguar Presidentit të Republikës Hashim Thaçi, Kryeministrit Albin Kurti, Kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani nga WWF Adria dhe 14 Organizata të shoqërisë civile përmban rekomandime për përshpejtimin e hapave drejt ekonomisë së gjelbër.
Organizatat kërkojnë kufizimin e vendimeve të cilat nuk janë urgjente për shëndetin dhe sigurinë e popullsisë.Transparenca e plotë dhe mirëqeverisja janë parësore në këto kohë, në mënyrë që të mos cenohen të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe vendimmarrja demokratike në shoqërinë tonë, është mesazhi i dërguar sot institucioneve më të larta të shtetit nga WWF dhe organizatat bashkëpunëtore.
Organizatat e Shoqërisë Civile janë të vetëdijshme për kushtet ekstreme në të cilat qeveria po punon.Megjithatë, ato i kërkojnë qeverisë që të shtyjë për më vonë çdo vendimmarrje e cila nuk lidhet në mënyrë të menjëhershme me shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, e për të cilat vendime nuk mund të sigurohet një pjesëmarrje dhe transparencë e plotë në këtë moment.
Në letrën e drejtuar Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit, Organizatat WWF, GAIA SCI Kosovo, TOKA, Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve VIER PFOTEN Kosova (Pylli i Arinjve), CNVP Foundation, Asociacioni Kombëtar i Pronarëve të Pyjeve Private, Kosova Environmental Education & Research Center – KEERC, Sustainability for Leadership Kosova
– SLK, Advocacy for Society Development – ASD, Prishtina Institute for International Economic Studies, Fondacioni Jeshil, Konsumatori, Gjeomjedisi, EcoZ dhe Vision 02, sjellin në vëmendje të vendimmarrësve disa rekomandime që përshpejtojnë transformimin drejt një ekonomie miqësore me klimën, që respekton mjedisin dhe ripërtërin natyrën, shëndetin dhe mirëqënien e njërezve.
Organizatat rekomandojnë që:
• Të mbështetet dhe forcohet zbatimi dhe financimi i standardeve dhe politikave ekzistuese mjedisore për të adresuar krizën e klimës, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen e mjedisit.
• Të investohet më shumë në ngritjen e vetëdijes dhe edukimit në lidhje me të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e natyrës, duke forcuar shoqërinë tonë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.• Të bëhet e mundur shpërndarja e fondeve stimuluese dhe masave lehtësuese sipas kushteve, në mënyrë që të drejtojë transformimin e ekonomisë sonë drejt qëndrueshmërisë.
• Të fillohen nisma të gjera e të qëndrueshme në përputhje me interesin publik.
• Të sigurohet mbështetje për organizatat (lokale) të shoqërisë civile./Tv Malisheva