Llapi e ka nisur mbarë edicionin e ri të Superligës, derisa në ndeshjen hapëse mposhtë Vushtrrinë në shtëpi me rezultat bindës 4-1, raporton Gazetasheshi.com.

Megjithë, ‘djelmoshat’ e Tahir Batatinës u djersitën shumë derisa erdhën te ky rezultat. Madje, ata ishin në disavantazh për më shumë se një orë lojë.

Ishte trajneri i skuadrës Tahir Batatina i cili i kërkoi të gjithë skuadrës për të shkuar në sulm duke vendosur të luaj “Gjithçka për asgjë”.

Tekniku llapjan vendosi të mbetej me tre mbrojtës, duke larguar nga loja mbrojtësin e krahut Senad Husiç dhe duke sulmuar me katër futbollistë (Sebino Plakun, Mërgim Pefqelin, Enis Zabërgjën dhe Labinot Osmanin).

Impuls shtesë ekipit të Batatinës i dha edhe inkuadrimi në lojë i Arbnor Ramadanit, i cili së bashku me Enis Zabërgjën (2) dhe Labinot Osmanin realizuan golat e fitores së parë sezonale për Llapin.

Në kuadër të javës së dytë Llapi përballet me Drenicën në udhëtim.

Share.