Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay. Ata kanë diskutuar për thellim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, derisa Osmani ka përsëritur ftesën për homologun e saj turk, Recep Tayyip Erdogan, për vizitë në Kosovë.
Sipas njoftimit të Presidencës, në takim Osmani ka kërkuar mbështetjen e Turqisë për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Me zv.ministrin Kemal Bozay, Presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, organizimin e një forumi të bizneseve të dy shteteve, sikurse edhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Presidentja Osmani ka përsëritur ftesën për homologun e saj, presidentin Recep Tayyip Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës, në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, është bërë e ditur në komunikatë.
Në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend.
“Presidentja Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve”, është theksuar në komunikatë.
/TV Malisheva