Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me përfaqësues nga institucione të ndryshme ka bërë sot homazhe në 24-vjetorin e masakrës, në Krushë të Madhe të Rahovecit, si dhe në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Në Krushë të Madhe, presidentja Osmani ka kujtuar të gjithë të rënët për liri, duke thënë se nuk do të ndalen derisa autorët që kanë shkaktuar vepra kriminale të dënohen.

Osmani ka theksuar se nuk mund të ketë paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.

Osmani: Ideja e Ukshin Hotit ende s’është përmbushur, sepse ende nuk kemi drejtësi për viktimat

“Sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi se kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i tyre të zbardhet. Asnjëherë nuk duhet të heshtim e të dorëzohemi, ngase besojmë ende se shpirti human i botës demokratike nuk do të hesht në kërkim të drejtësisë për jetët e pafajshme. Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tentohet të tjetërsohet dhe për ta vendosur drejtësinë. Ne vërtetë jemi të përkushtuar për paqe, por ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme që ta mbrojmë të vërtetën e patjetërsueshme. Kosova bëri luftë të drejtë e çlirimtare, ndërkaq Serbia kreu gjenocid ndaj popullit tonë. Krusha e Madhe është ndër rrëfimet më të tmerrshme të luftës tonë dhe fatkeqëisht ky rrëfim ende nuk ka mbaruar, na duhet ende punë që krushjanët dhe gjithë qytetarët tanë ta gjejnë paqen. Ideja e intelektualit, Ukshin Hoti ende nuk është përmbushur, sepse ende nuk kemi drejtësi për viktimat. Nuk mund të ketë paqe e stabilitet në rajon pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë. Ne synojmë paqen, por nuk do të heshtim asnjëherë duke mbajtur të gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi po ashtu ka kujtuar gjithë ata që kanë dhënë jetën për liri. Ai është shprehur se gjaku i të rënëve është dëshmia më e mirë për gjenocidin serb.

Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët të kenë në konsideratë sakrificat që ka bërë populli shqiptar dhe në këtë formë të dënohen gjithë ata që kanë bërë krim në Kosovë.

Latifi: Populli ynë nuk harron asgjë

“Dëshmi e tërë kësaj çmendurie njerëzore është kjo lëndinë dhe këto varre e djemëve dhe burrave të Krushës Madhe…Përgjigjen që i dhanë aleatët tanë, NATO në krye me SHBA-të ishte përgjigjja që ështa dashur t’i jepet Serbisë e Rusisë që nga fillimi i këtyre masakrave mbi shqiptarët…Duke djegur e zhdukur gjurmët, serbët menduam se nuk ka krim, por qenë gabuar, sepse populli ynë nuk harron asgjë…241 të vrarë, të djegur dhe të zhdukur të Krushës Madhe, klithmat e tyre duhet t’i dëgjojë prëndimi, sepse pa u bërë drejtësia në këtë aspekt nuk mund të ketë as paqe e as pajtuar me kriminelët. Fatkeqësisht, edhe sot përballemi me aktakuza të përpikuara të serbëve. Duam dhe besojmë se faktorët ndërkombëtar do të kenë në konsideratë sakrificat tona të panumërta dhe vullnetin tanë të madh për të qenë vetvetja dhe pronar të vërtetë të tokës tanë. Po ashtu, kërkojmë që luftëtarët e lirisë të lihen të lirë…Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi, të barazosh kriminelet që kryen vrasje është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet vlerave dhe lirisë”, ka thënë Latifi.

Përfaqësuesi i Shoqatave të dala nga lufta, Ejup Kabashit, në një fjalë rasti është shprehur se dëshmia më e madhe që ka kryer gjenocidi serb është gjaku i të rënëve për liri.

Kujtojmë që, homazhe në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël ka bërë sot në mëngjes edhe kryeministri Albin Kurti.

/TV Malisheva

Share.