Me ftesë të Qeverisë finlandeze, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ish-Presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë këtë të premte në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari.
Sipas njoftimit të Presidencës, në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezent më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-Presidentit Ahtisaari.
Duke nderuar kujtimin për ish-Presidentin Ahtisaari, Osmani ka thënë se: “Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i Presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”.
Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.
“Mysafirët në varrimin e Presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së Presidentit Ahtisaari. Kontributi i Presidentit Ahtisaari për paqe dhe zgjidhje të konflikteve në vende të ndryshme të botës u vlerësua edhe në vitin 2008 kur atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe”, thuhet në komunikatën për media.
/TV Malisheva