Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës në kuvend dhe po ashtu ministra, kanë pasur pakënaqësi për udhëheqjen e seancës plenare nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Debati është nxehur mes kryetares së kuvendit, Vjosa Osmanit, dhe deputetit të LDK-së, Kujtim Shalës.

I gjithë debati është nxitur pas ndërhyrjes që Osmani ka bërë në fjalën e ministres Meliza-Haradinaj Stublla e cila po kritikonte qeverisjen e Albin Kurtit.

Shala i ka thënë Osmanit se nuk mund të ndërhyjë dhe të bëjë komente të fjalimeve që bëhen në Kuvend dhe që s’i lejohen pozicionimet politike.

Gashi: Nga ai pozicion nuk keni të drejtë të komentoni askënd

“Ju nga ai pozicion si kryetare e Kuvendit nuk keni të drejtë të komentoni askënd dhe nuk keni të drejtë të bëni konkluza të tilla, sepse vet e hapni debatin. As nga ky pozicion si kryetare e kuvendit, nuk mund të bëni ndërhyrje të tilla”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani ka qenë shumë e ashpër duke i thënë Shalës se nuk janë mësuar me kryetar që respektojnë rregulloren e parlamentit.

Osmani: I di fort mirë, i kam lexuar

“I nderuari deputet duhet ta kuptoni një herë e mirë. Që i di fort mirë, i kam lexuar, jam katër mandate deputet. Por jeni mësuar ju me kryetar kuvendesh, të cilët i keni quajtur vet banda mafiozësh, e tash udhëheqjen e seancave në përputhje me rregulloren nuk po mund ta përballoni. Ta dini një herë e mirë neni i rregullores në bazë të së cilës bëhen deklaratat e ministrave, po ashtu thotë që në atë pjesë të rregullores mund ta marrin fjalën edhe deputetet qoftë për komente, qoftë për replika. Por që të dyja qoftë deklaratat e ministrave qoftë të deputetëve duhet të bëhen në marrëveshje me kryetare. E fundit, zoti deputet sepse për fat të keq dhe për të cilin ju uroj që jeni shëruar sepse nuk keni qenë seancat e kaluara, në secilën seancë përfshirë edhe këtë unë kam kërkuar mirëkuptimin e deputetëve që për të eliminuar infeksionin, unë si deputete t’i japi vlerësimet e mia nga foltorja siç e bëni secili prej jush, pse ju të keni të drejtë të flisni nga vendi e unë jo”, i është drejtuar Osmani.

Gjatë replikës, Osmani ka kërkuar nga ministri Armend Zemaj të mos e fyej me fjalët “mos rrej”.

Osmani: Po tregon mungesën e edukatës

” Zoti deputet, zoti ministër në këtë rast mos fyej se nuk je tu u ndal. Ministri këtu po thotë mos na rrej, po e tregon mungesën e edukatës”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, Zemaj deklaroi se nuk kishte përdorur shprehje të tilla.

Zemaj: Ju thash mos na rreh

“Kryetare të kisha lut që si e para e kuvendit, dhe si njëra nga 120 deputetët është pak mirë që debatin ta orientoni në relaksim të situatës. Edhe nëse ka tension ndërmjet deputetëve, apo kabinetit qeveritar me deputetët. Nuk ju thash mos na rrej, se unë jam djalë i mësueses, pro mos na gënje. E them atë fjalë, por thash mos na rreh, se mu duke e tensionuar, e ishte për ta relaksuar debatin”, është shprehur ai.

Për këtë kryeparlamentarja Osmani tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, madje sipas tij Zemaj e njeh atë mirë./Tv Malisheva

Share.