Para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim pune komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.

Komandantja supreme u njoftua nga Jashari lidhur me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies së ushtarëve të FSK-së.

“Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon. Të dy ritheksuan se vizioni ynë i përbashkët është që Republika e Kosovës të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Presidentja Osmani, do të takohet më 7 shtator me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë e NATO-s në Bruksel.

/TV Malisheva

Share.