Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se procesi i dialogut duhet të rimendohet pas sulmit të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
“Janë bërë 12 vite në dialog edhe është koha për reflektim, sepse qasja marrë parasysh gjatë këtyre viteve e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të përdorë dhunë dhe të kryej akt agresioni në raport me Kosovën. Nuk duhet të sillemi sikur nuk ka ekzistuar 24 shtatori, duhet të ketë mësime të mësuara. I gjithë procesi i dialogut tani të rimendohet në suazat e asaj që ka ndodhur më 24 shtatorit”, tha Osmani.
Tutje në konferencën për media, Osmani ka thënë se hetimet e institucioneve të Kosovës të mbështetura nga partnerët ndërkombëtar kanë dëshmuar tepër qartë që Serbia qëndron prapa sulmit dhe aktit të agresionit të 24 shtatorit.
“Janë katër elemente thelbësore që e lidhin Serbinë me këtë sulm dhe e qojnë përgjegjësinë deri tek presidenti Vuçiq. E para ka të bëjë me financimin e këtyre strukturave që tashmë ka dëshmi, e dyta ka të bëjë me armët që janë prodhuar në industrinë ushtarake të Serbisë dhe janë dhënë nga shteti serb për terroristët që kanë kryer sulmin, e treta ka të bëjë me trajnimet që tashmë as shteti serb nuk i mohon që i ka bërë për këto grupe terroriste dhe e katërta ka të bëjë me involvimet dhe lidhjet politike të vet shtetit serb me terroristët”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka shtuar se presin që merren masa konkrete ndaj Serbisë pas këtij sulmi.
“Nuk ka më ndonjë dyshim, unë e kuptoj që shtetet anëtare të BE-së veç e veç, mund t’i kenë procedurat e tyre për konfirmim të informacioneve, megjithatë presim që sapo të përfundojnë ato procedura të ndërmerren masa konkrete”, tha ajo.
/TV Malisheva