Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në takim homologun finlandez, Pekka Haavisto.

Pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë për media me ç’rast Pacolli ka thënë se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të mira dhe se nuk ka asgjë që do ta pengonte zhvillimin e tyre, njofton Klan Kosova.

“Me mikun tim Pekka Haavisto, me të cilin kam pasur rast të takohem dhe të bisedoj disa herë – kemi pasur takime intensive tani edhe në Finlandë dhe isha i impresionuar për mënyrën e organizmit të takimit”.

“Ju e dini se Finlanda tani ka marrë presidencën e BE-së dhe ne kishim një takim edhe në Slloveni. Sot jam i lumtur që ministri viziton edhe Kosovën. Gjatë takimit patëm këmbim të ideve dhe mund t’ju them se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të mira, nuk kemi asnjë problem i cili mund ta pengojë zhvillimin e këtyre marrëdhënieve”.

“Ne kemi nënshkruar disa marrëveshje me Finlandën dhe nuk ka asnjë problem që mos ta thellojmë bashkëpunimin. Shfrytëzova rastin që ta informojë kolegun me situatën e krijuar për vendimin që Kosova të shkojë në zgjedhje”.

“I tregova se jemi në mes të fushatës zgjedhore si dhe i tregova se Qeverisa e ardhshme do të jetë shumë më e kujdesshme për krijimin e kushteve për dialogun me Serbinë në mënyrë që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku Kosovës do t’i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

“I tregova për situatën për të cilën ndodhemi ne sa i përket lëvizjes së lirë. Duke ditur se ne kemi marrë disa pëlqime nga Bashkimi Europian për heqjen e vizave për kosovarët dhe kolegu im tha se do të angazhohet me çdo gjë që ka në mënyrë që edhe kosovarët të kanë të drejtë të udhëtojnë lirshëm”.

“Dihet se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj sa i përket implementimit të të gjitha parakushteve për heqjen e vizave nga ana e BE-së”.

“Po ashtu i tregova se Kosova ndodhet në luftë permanente me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ministri tha se janë bërë shumë ndryshime në Kosovë dhe se është bërë punë e madhe këtu”.

Për t’u informuar më shumë rreth fjalimit të kryediplomatit finlandez, klikoni në linkun e mëposhtëm.

Share.