Të martën e javës së ardhshme do të ketë seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Aty do të diskutohet mbi propozimin e PDK-së për pakon emergjente rreth 300 milionë euro për t’u ballafaquar me krizën ekonomike dhe shëndetësore si pasojë e pandemisë Covid-19.
Mbajtjen e kësaj seance, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi si obstruksione që po i bëhen qeverisë në detyrë nga LDK bashkë me partitë e PAN-it. Por nga PDK-në thanë se institucioni legjitim për të marrë vendime për pako emergjente është Kuvendi i Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci pas mbledhjes së kryesisë të premten theksoi se propozimi i PDK-së është një projekt-rezolutë. Për këtë sipas saj, nuk është obligues për qeverinë.
“Të gjitha përpjekjet e qeverisë që të dalin në ndihmë rasteve sociale, bizneseve private me anë të masave të pakos emergjente ka një obstruksion të qartë dhe bashkëpunim të plotë mes LDK-së dhe PDK-së që mos të shqyrtohen. Sido që të jetë unë dua të garantoj secilin qytetarë se qeveria në detyrë është në funksion të plotë të detyrave të veta. Ka marrë vendi për pakon emergjente dhe do të jetë në krah të qytetarëve”, tha ajo
Por, deputeti opozitar i PDK-së, Memli Krasniqi tha se qeveria në detyrë nuk mund të merr vendime të tilla, pasi sipas tij Kuvendi i Kosovës është institucioni legjitim.
“Ne po kërkojmë që Kuvendi me marrë këtë vendim. S’ka të bëj kjo me pozitë-opozitë dhe qeveri. Ka të bëj me të vetmin institucion legjitim dhe legal qe mundet me marrë vendim të tilla. Qeveria nuk mundet me marrë një vendim të tillë. Ata e kanë kuptu tash, 2-3 javë kanë humbur kohë për gjëra që i kemi thënë hajde takohemi në kuvend dhe e bëjmë pakon bashkë dhe iu japim votat se nuk mundeni me bërë pa Kuvendin. Nuk munden me u shpenzuar ato mjete pa Kuvendin”, tha ai.
Këtë propozim të PDK-së, e quajti mjaft konfuze Nagavci dhe sipas saj ajo është një projekt-rezolutë që nuk ka ndikim obligues për qeverinë në detyrë.
“Propozimi i PDK-së të paktën sa kemi pa deri tani është një projektrezoluta dhe projektrezoluta nuk ka ndikim obligues është vetëm një rekomandim”, u shpreh Nagavci.
Krahas kësaj në mbledhjen e kryesisë së sotme është autorizuar komisioni për legjislacion që përmes një ligji të veçantë të merren me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
“Ne e autorizuam komisionin për legjislacion në mënyrë që ata të vijnë sa më shpejt. Shpresoj të hënën, ose para të seancës të martën të na sjellin një listë të masave që ata vlerësojnë të ndërmarrin në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai./ Tv Malisheva