Ministri në largim i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Pal Lekaj, ka shpallur sot një konkurs të madh në institucionin që e drejton, ndonëse kryeministri Ramush Haradinaj ka dy muaj që ka dhënë dorëheqje dhe vendi do të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare pas tri javëve, përkatësisht më 6 tetor 2019.
Lekaj, sipas konkursit të publikuar në faqen e MIT, ka shpallë konkurs për 19 pozita të reja dhe 3 avancime, përfshirë këtu: Zyrtar për ndërtimtari, zyrtar i lartë për çështje pronësore, menaxher regjional, inspektor i transportit rrugor, inspektor i infrastrukturës rrugore, avancim për udhëheqës të divizionit për komunikim me publikun, avancim për udhëheqës të divizionit për hartimin dhe harmonizimin e legjislacionit, avancim për udhëheqës të divizionit të inspektimit të infrastrukturës rrugore, zyrtar të lartë për prokurim, zyrtar i prokurimit (jo i karrierës), zyrtar administrativ në departamentin e Inspektimit, udhëheqës i divizionit për përgatitjen e testeve për patentshofer, konkurs për auditor të brendshëm dhe konkurs për asistent administrativ, raporton portali “Front Online”.
Përpos që në këtë konkurs ka shumë gabime gjuhësore, punësimet që planifikohet në fund të mandatit të ministrit Pal Lekaj vlerësohen si politike dhe me qëllim të përfitimit të votave në zgjedhjet e 6 tetorit.
Përndryshe, Pal Lekaj është i shtati në listën për deputetë të koalicionit AAK-PSD.