Muzikanti italian i xhazit Paolo Fresu bën homazhe për kantautorin dhe multi-instrumentalistin e ndjerë britanik, David Bowie. Ai do të jetë në Prishtinë, më 5 qershor, në fazën e dytë të një turneu shumë të veçantë ballkanik të mbështetur nga Ministria e Jashme italiane si pjesë e programit të integruar promovues “Vivere all’Italiana”, nën shoqërinë e një grupi të klasit të parë: Petra Magoni (vokal), Filippo Vignato (trombon), Francesco Diodati (kitarë), Francesco Ponticelli (bas) dhe Christian Meyer (tupana). Koncerti fillon në orën 20:00, në Kino Armata.
Në komunikatën e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, thuhet se Paolo Fresu shpjegon: “Për këtë projekt vendosa të krijoj një grup unik, të krijuar posaçërisht, me muzikantë të mëdhenj eklektikë me prejardhje të ndryshme, madje edhe larg xhazit. Afrimi me muzikën e David Bowie është një emocion i madh dhe gjithashtu një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë ne, aq më tepër në një rajon si Ballkani dhe në një vend si Kosova ku e duan xhazin, por edhe eksperimentet e muzikës rock, funk dhe blues”.
Fresu dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përzgjedhur rreth tridhjetë këngë, duke përfshirë “Heroes”, “Life on Mars”, “This Is Not America”, “Warszawa” and “When I Live My Dreams”.
Secili anëtar i grupit ka dhënë kontributin e tij në orkestrime, duke i dhënë më shumë larmi dhe dinamizëm projektit.
“Bowie është një kantautor i pavdekshëm që ka qenë gjithmonë pranë xhazit. Do të përpiqemi të kemi respektin maksimal për artin e tij por edhe të jemi proaktiv, duke u dhënë një freski këtyre këngëve”, shton Fresu.
Për Ambasadorin italian në Kosovë Antonello De Riu dhe drejtorin e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera, “koncerti në Prishtinë i një artisti të shquar të muzikës italiane si Fresu, një muzikant xhaz me famë ndërkombëtare është pjesë e strategjisë për t’i bërë artistët tanë edhe më të njohur në një rajon dhe vend qendror për ne. Dhe xhazi, i cili ka qenë gjithmonë muzika e integrimit, mund të ndihmojë për të treguar të tashmen e një zone që po përpiqet të lërë pas të kaluarën e afërt për të zbarkuar në të ardhmen evropiane për të cilën aspiron në mënyrë legjitime”.
Sipas njoftimit, Alush Gashi, drejtor i Kino Armata, thotë se është “krenar” për koncertin Fresu dhe për bashkëpunimin me Ambasadën dhe Institutin e Italian të Kulturës që “rriti ndjeshëm ofertën e Italisë në Kosovë, në të gjitha format artistike: muzikë, kinema, teatër, art, dizajn dhe shkencë”.
Biletat për koncertin Fresu, me çmimin simbolik prej 5 eurosh shiten gjate javës: e hënë – e premte, ora 16.00 – 20.00, në Kino Armata ose mund t’i rezervoni në [email protected].
/TV Malisheva