Shkruan: Afrim Kasolli – Pas kthimit në Prishtinë, kryeministri i Albin Kurti e pranoi se gjatë takimeve që ka pasur me liderët kryesorë të shteteve evropiane, sikur se presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni është pajtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një gjë të tillë e konfirmoi dje edhe kancelari i Gjermanisë O. Scholz, pas përfundimit të samitit të Bashkimit Evropian. Ai pohoi se gjatë takimeve që drejtuesi i Qeverisë së Kosovës ka pasur me ta, u ka premtuar se do ta themelojë këtë entitet. Ndërkohë, për ta justifikuar tradhtinë ndaj kauzës së tij kryesore politike, Kryeministri deklaroi sesi draft-statuti na qenka në pajtim me frymën evropiane dhe se është “në përputhje të plotë me Kushtetutën”.
Ndërkohë, për të eliminuar dilemat për këtë të fundit, sipas tij në këtë dokument qenka edhe një nen i cili parasheh që vlerësimin përfundimtar të këtij dokumenti do ta bëjë Gjykata Kushtetuese. Veprim ky, që tregon se Albin Kurti nuk ka shpikur asgjë të re në këtë drejtim, pos që e ka imituar ish-kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa.
Sepse me marrëveshjen e vitit 2015 të nënshkruar nga I. Mustafa, mbi pjesën mbi dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare të Asociacionit, në nenin 21 thuhet qartë se “cilido amandament që do të prezantohet nga Asociacioni/Bashkësia do të vërtetohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.
Mirëpo me një dallim, se ndaj këtij te fundit thuajse ishin përdorur aktet të “luftës” guerile urbane, pikërisht nga Albini Kurti dhe ndjekësit e tij fanatikë. Kurse ky fundit vetëm sa nuk kërkoi që qytetarët ta qesëndisin me dafinat e fitores për këtë arritje. Prandaj, ky model “rezistues” që është ndjekur për ta pamundësuar deri dje zbatimin e “Zajednicës” dhe pranimi sot i saj triumfalist nga partia në pushtet, vetëm sa do të bëhet burim i krizave të vazhdueshme të republikës si dhe s’do të ofrojë asnjë zgjidhje për këtë problem politik dhe juridik.
E, për rrezikun që paraqesin për një rend republikan metoda të tilla ka shkruar shume kohë më parë mendimtarja e spikatur politike Hannah Arendt në librin e saj të njohur “Crises of the Republic”. Në këtë libër të jashtëzakonshëm, H. Arendt një vend qendror i ka kushtuar fenomenit të dhunës (On Violence) dhe atij të mashtrimit në politik (Lying in Politics).
Për këtë autore, kurdo që dukuri të tilla përdoren si instrumente taktike dhe strategjike në luftën për pushtet, ato e rrezikojnë si republikën ashtu edhe veprimtarinë politike, si një hapësirë e përbashkët njerëzore. Ngase ato janë dy mjete dhe forca anti-politike. Kështu, mbajta e tyre sa më shumë që të jetë e mundur larg sferës publike dhe politike është kusht i domosdoshëm për mirëfunksionimin republikan të një shoqërie.
Nuk ka lajthitje më të madhe konceptuale dhe teorike se sa konceptimi i pushtetit në terma të dhunës dhe forcës. Për të shmangur këtë rrezik dhe për ta stabilizuar aksionin politik, Arendt pohon se vendimtare mbetet aftësia njerëzore për t’i “dhënë dhe mbajtur premtimet”. Dhe kjo cilësi që ka qenë vendimtare në traditën e mendimit perëndimor politik.
Në këtë kontekst, nëse ka një temë ku më së shumti janë mishëruar këto forca anti-politike në demokracinë e brishtë kosovare është pikërisht kundërshtimi i dhunshëm i Asociacionit nga partia në pushteti, deri sa ishte në opozitë si dhe premtimi publik se ai nuk do të zbatohet kurrë. Dërgimi i vendit gati në zgrip të luftës civile ishte bërë pikërisht me argumentin për ta penguar këtë Bashkësi.
Prandaj, zbatimi i tij sot, nga po e njëjta koniunkturë politike, nuk është asgjë tjetër, pos legalizim i këtyre metodave anti-politike dhe anti-demokratike. Sidomos, kur marrim parasysh fatin se edhe fillimi i procedurave për implantimin e tij po vjen pak kohë pas një inkursioni tjetër të dhunshëm dhe terrorist nga grupet paramilitare nga Serbia.
Bashkësisë ndërkombëtare, mbase për shkak të rrethanave aktuale ndërkombëtare dhe gjeopolitike, si dhe të paradigmës së “stabilokracisë” mund t’i duket profitabile kjo zgjidhje, por në këtë mënyre vetëm sa është duke e mbështetur atë mendësi dhe kulturë, sipas së cilës dhuna dhe mashtrimi janë të vetmet instrumente për “përparim demokratik” Mirëpo, me këtë qasje vetëm sa e ushqen rrethin vicioz të krizës. E cila si e tillë do ta mbajë peng pafundësisht republikën.
/TV Malisheva