Punëtorët e sektorit publik me gjasë nuk do të mund t’i marrin pagat me rritje as gjatë këtij muaji. Ndonëse Ligji për Paga ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, Avokati i Popullit sot i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pas ankesave të 35 sindikatave. Madje, ky institucion ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të këtij Ligji deri në një vendim përfundimtar nga Kushtetuesja. Deri tani, tri sindikata kanë paralajmëruar kolaps të shtetit, nëse pezullohet ligji, shkruan Express.

Mbi 80 mijë punëtorë që paguhen nga buxheti i shtetit duket se do të vazhdojnë t’i marrin pagat pa rritje. Arsye për këtë është vendimi i Avokatit të Popullit, që ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Paga.

Se Avokati i Popullit ka dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për këtë ligj, e ka konfirmuar për Express, zëdhënësi i kësaj gjykate, Veton Dula.

“Në Gjykatën Kushtetuese sapo është parashtruar kërkesa përkitazi me Ligjin për pagat nga Avokati i Popullit”, ka thënë Dula.

E dërgimi në Gjykatën Kushtetuese për ta pezulluar këtë ligj, sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, vjen pas pranimit të 35 ankesave nga sindikata të ndryshme, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.

“Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij”, thuhet në komunikatë.

Ky institucion ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, raporton Express.

“Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndërkohë, në Ministrinë e Financave kanë treguar se tash për tash Ligji është në dorë të Kushtetuese.

“ Tash në si ministri nuk mund të marrim asnjë vendim për pagat. Tash duhet të presim vendimin përfundimtar nga Gjykata Kushtuese. Nëse pezullohet Ligji, atëherë pagat dalin pa rritje, nëse nuk pezullohet atëherë pagat dalin me rritje, siç janë paraparë në Ligj”, kanë thënë në këtë ministri.

E përderisa 35 sindikata janë ankuar për këtë ligj, ka edhe nga ato që kanë paralajmëruar masa nëse ky ligj dërgohet në Kushtetuese dhe merret vendim që të pezullohet.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Sindikata e Shëndetësisë dhe ajo e Policisë, të kanë paralajmëruar protesta nëse pezullohet ekzekutimi i ligjit të ri.

Share.