Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka propozuar që të ketë rritje të tarifave të rrymës për 13.4% për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor. Ky është vetëm propozimi fillestar i ZRrE-së, dhe pas pranimit të komenteve, pritet të marrin vendimin final për tarifat e reja të energjisë për vitin 2023.
Sipas qytetarëve, kërkesa për shtrenjtim është absurde, duke marrë parasysh standardin e shumicës së qytetarëve në Kosovë.
“Pasha Zotin, kështu qysh është kanë shtrenjtë, tash hiq se hiq. Pensionin e kam 200 euro, çka me ba, çka me hangër, çka me pagu”, u shpreh Shaqir Doberdelani.
“Keq po bën Qeveria. Pasha Zotin, unë për veti nuk mundem me e pagu se s’kam ku t’i marrë, Qeveria po iu jep tyre që kanë, atyre skamnorëve s’po ua ndien hiç. Kurti i kritikonte Avdullah Hotin, Hashimin e këta tjerët e tash po bën edhe ma zi vetë”, shtoi ai.
“Nuk është hiç e drejtë, të gjitha edhe gjërat ushqimore krejt standardi i jetës është ngritë edhe të ardhurat personale të krejt banorëve janë shumë të ulëta, kjo nuk është në rregull, këto janë lojna me popullin”, u shpreh qytetari tjetër Zeqir Dervishi.
“Po si nuk e rëndon more, ashtu e kemi të rënduar edhe plus nëse shtrenjtohet edhe rryma edhe çfarë të ardhurash kemi sivjet e çfarë kemi pas vjet, sa është inflacioni, inflacioni është mbi 20% po këta thonë jo 11, 10, 7 çka di unë, po ato nuk janë të vërteta. Po më vjen keq po kjo është rëndë shumë”.
Ndërsa për Agim Hasanin, nuk është fort problem shtrenjtimi i faturave të energjisë. Thotë se si të ketë rrymë mjaftueshëm, edhe shtrenjtimi është në rregull.
“Shumë u shtrenjtu, po edhe me u shtrenjtu nuk është fort problem se s’po shtrenjtohet shumë. More si të kemi rrymë nuk ka kurrfarë problemi, po mendoj që rrymë ka pasë mirë, si u shtrenjtua pak nuk është fort keq. Me qeto rroga se shoh si të lehtë, si të ka rrymë pagesa nuk është fort problem”, thotë Hasani.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar të martën për paralajmërimet e fundit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
“Operatori i vetëm në Kosovë për furnizim me energji elektrike i ka bërë kërkesë ZRRE për shtrenjtimin e energjisë elektrike diku mbi 54 % kurse, ZRR-e, në vend se të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës që me vështirësi po i shlyejnë faturat me çmime ekzistuese, të lehtësuara nga subvencionimi i qeverisë së Kosovës, krahasuar me më herët është treguar më i mëshirshëm duke lejuar shtrenjtimin vetëm me 13.4 % që, krahasuar me shumën e kërkuar, duket, në shikim të parë si një përfitim apo subvencion shtesë për qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.
ZRrE ka propozuar që të hyrat maksimale të lejuara për Furnizuesin Publik – KESCO për vitin 2023 të jenë 393.8 milionë euro, apo një rritje prej 13.4% krahasuar me vitin 2022 kur buxheti ishte caktuar në 347.2 milionë euro.
Edhe këtë vit, Qeveria e Kosovës do të subvencionojë tarifat e energjisë me 24.6 milionë euro. Këto mjete ishin zotuar vitin e kaluar, por Qeveria e Kosovës ishte vonuar t’i alokojë me kohë, prandaj janë bartur në vitin 2023.
KESCO në raportin e tyre kanë thënë se kiza energjetike dhe ajo ekonomike që e kanë karakterizuar vitin 2022 dhe që do të vazhdojë të jete prezent edhe përgjatë vitit 2023, tashmë e kanë dëmtuar rëndë gjendjen financiare të tyre si furnizues.
“FSHU-ja tashmë është përballur me probleme të mëdha financiare dhe i duhet kohë për tu rikuperuar, prandaj çdo reflektim do të ketë ndikim pozitiv në operimin e duhur të FSHU-së” – thuhet në aplikimin e tyre për tarifa të vitit 2023.
Në propozimin e Rregullatorit nuk janë marrë parasysh gjitha kërkesa e bërë nga KESCO që të hyrat e lejuara për vitin 2023 të jenë 500 milionë euro.
ZRRE-ja ka vlerësuar se gjatë vitit 2023, çmimi mesatar i energjisë së importuar do të jetë 171 euro për MWh. “Çmimi i parashikuar për blerjen e energjisë nga importi është bazuar në të dhënat e publikuara nga European Energy Exchange (EEX-PXE Hungarian Power Futures) për çmimet mujore që kanë rezultuar më datë 9 shkurt 2023”, thuhet në arsyetim.
Në muajin shkurt, Qeveria e Kosovës e ka miratuar vendimin me zotimin për subvencionimin e energjisë. Qeveria e Kosovës ishte zotuar se do t’i jap 90 milionë euro për subvencionim të energjisë.
Paratë e zotuara nga Qeveria e Kosovës nuk ishin ndarë për disa muaj me radhë. Madje në muajin korrik të vitit 2022, për shkak të mosndarjes së parave të zotuara, KESCO kishte kërkuar përsëri shtrenjtim të rrymës. Derisa Zyra e Rregullatorit të Energjisë po e shqyrtonte kërkesën e KESCO-s për shtrenjtim të rrymës, Qeveria e Kosovës në muajin gusht ka ndarë 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt 2022.
Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë nga KEK.
Tarifat e energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022.
/TV Malisheva