Partia e Drejtësisë mbajti kuvendin e rregullt zgjedhor, të shtatin me radhë, në historinë njëzetekatër vjeçare të partisë.
Pas intonimit të himnit shtetëror të Kosovës dhe atij kombëtar kuvendi nderoi me fjalë përkujtimore dhe me një minut heshtje e lutje Heroin e Kosovës Afrim Bunjakun i cili e dha jetën e tij në altarin e lirisë, pavarësisë e sovranitetit të vendit në ballafaqim me sulmin terrorist. Në vazhdim, në prezencën e 67 delegatëve nga të gjitha degët e partisë u miratuan raporti i punës ndërmjet dy kuvendeve dhe ndryshimet në statutin e programin e partisë. Në vazhdim të punëve, kuvendi me votë unanime të delegatëve rizgjodhi për kryetar të PD-së Prof. Dr. Ferid Aganin.
Në fjalën e tij kryetari Agani paralajmëroi kthimin e fuqishëm të Partisë së Drejtësisë në skenën politike të vendit pas aktivitetit të penguar partiak nga procesi i padrejtë tetëvjeçar gjyqësor ndaj kryetarit të PD-së që rishtazi përfundoi me vendim të plotfuqishëm gjyqësor për pafajësinë e tij. Ndër synimet kryesore politike të PD-së gjatë mandatit të ri kryetari Agani theksoi vazhdimin e betejës politike për fuqizimin e vlerave etike dhe morale në shoqëri e politikë mbështetur në parimin e respektimit të plotë të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të cilat të vetmin kufij i kanë liritë e të drejtat themelore njerëzore të qytetarëve të tjerë; ruajtjen e shenjtërisë së familjes të përbërë nga burri e gruaja dhe kundërshtimin e zyrtarizimit ligjor të çfarëdo martese njëgjinore; kontributin për shtimin e unitetit dhe koordinimit të spektrit politik të vendit rreth çështjeve madhore kombëtare e shtetërore; si dhe vazhdimin e reformës së ndërprerë shëndetësore.
Kuvendi zgjodhi edhe Këshillin Drejtues dhe Kryesin e re të partisë, si dhe miratoi Deklaratën politike përkitazi me strategjinë për shtrirjen e sovranitetit të plotë shtetëror në veriun e vendit.
/TV Malisheva