Një tubim do të mbahet para zyrave të Komisionit Evropian në Sofje të shtunën, më 21 janar për të kërkuar mbrojtje për të drejtat e bullgarëve maqedonas dhe drejtësi për Hristian Pendikov në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha eurodeputeti bullgar dhe bashkëkryetari i partisë VMRO, Angel Dzhambazki.
Pendikov është sekretar i Qendrës Kulturore Bullgare Mbreti Boris III në Ohër. Të enjten në mbrëmje, ai u rrah rëndë në një kafene lokale. Një i dyshuar më vonë u akuzua për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor të Pendikovit.
Pendikov tani ndodhet në Bullgari për trajtim në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Sofje. Sulmi shkaktoi një protestë në Bullgari dhe ringjalli idenë e bllokimit të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në Bashkimin Evropian.
Dzhambazki paralajmëroi Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian për atë që ai e përshkroi si “një akt agresioni të paprecedentë në Maqedoninë e Veriut”.
Ai bëri thirrje për një reagim të menjëhershëm nga institucionet e BE-së, “të cilat kanë bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr ndaj shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut”.
Në mesazhin e tij, Dzhambazki tha: Kjo është pasojë e propagandës agresive antibullgare që kanë imponuar prej vitesh politikanët, historianët dhe personazhet publike në Shkup. Është pasojë e mosinteresimit të institucioneve evropiane, të cilave personalisht u jam drejtuar dhjetëra herë, por përgjigjet ishin: ‘po monitorojmë situatën’. Ju ushtruat presion të madh mbi Bullgarinë për të lejuar Maqedoninë e Veriut të pareformuar të negociojë për anëtarësim në BE. Ju na folët për vlerat evropiane, madje presidenti Macron dha propozimin e tij, dhe Bullgaria ra dakord. Ja rezultati. Gjysmë viti më vonë, një burrë bullgar nga Maqedonia është në spital pas një tentativë vrasjeje. A duhet të vritet dikush që BE-ja të reagojë? A do të mbani qëndrim pas këtij sulmi cinik?”
Dzhambazki iu drejtua me ketë mesazh Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Komisionerit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe Përfaqësuesit e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell./BTA
/TV Malisheva