Disa ditë pasi u konfirmu largimi i trajnerit Arsim Thaqi dhe deklaratat e këtij të fundit që ka pasur, ka reaguar kryetari i klubit malishevas, Driton Morina.
Morina në një pronocim për TV Malisheva ka thënë se arsyet e largimit të teknikut Thaqi nga klubi kanë qenë pakënaqësitë e këtij të fundit me rezultatet e arritura.
Tutje Morina shtoi se Thaqi ka qenë i lirë për çdo ndryshim në klub, dhe se nuk ka pasur asnjë ndikim të brendshëm.
Me poshtë intervista e plotë e Morinës për TV Malisheva:
TV Malisheva: Si erdhi shkarkimi i Arsim Thaqit?
Morina: Erdhi nga pakënaqësia e kryesisë së klubit, pas humbjes me Drenicen, barazim me Dukagjinin dhe humbja me Prishtinën, që kryesisht ishin ish-lojëtarët tonë, e që ne sipas dëshirës së kryetrajnerit i kishim liruar ata lojtarë, dhe me humb nga ta ishte e rëndë për ne, dhe ne kishim marrë lojtarë të ri, më të mirë se ta.
TV Malisheva: Si qëndron puna për pretendimet e Thaqit që ju keni ndërhy në formacion?
Morina: Jo, nuk i kemi ndërhy, përkundrazi familjari im lojtari, Liman Morina, që tani ka shumë suksese në KF Rahoveci vetëm për dëshirë të ish-trajnerit, e kemi huazu te tjetër klub, vetëm që t’i ketë duart e lira, dhe prapë është ankuar. Te ne kushtet i ka pas sikur të jetë klubi i tij, në asnjë ndeshje s’jemi shku në zhveshtore asniherë nuk kemi ndërhy në formacion. Ka qenë si me qenë klubi i tij privat, vetëm pagesat i kem ekzekutu ne, asgjë më shumë s’kemi pas ne në dorë, pasi kem obligime tjera në biznes.
TV Malisheva: Pse nuk keni arritur marrëveshje me Thaqin?
Morina: Ne i kemi ofruar marrëveshje të dyanshme, Arsim Thaqi nuk ka pranu, dhe ka thënë që do ta zbatojë kontratën deri në pikën e fundit dhe ju merrni çfarë do vendimi për mua, kështu i kishte thënë anëtarëve të bordit.
TV Malisheva: Pas shkarkimit, si do të veproni me kontratën e tij?
Morina: Ne me gjithë deshirë, për punën që e ka bërë deri në diten e fundit që ka punu, do t’i kryejmë të gjitha obligimet ndaj Thaqit, sa më shpejt që është e mundur…pasi që kemi qenë të kënaqur edhe ne me të, dhe i përket rajonit tonë dhe na ka ndihmuar si klub i ri, dhe shpresojmë se do të vijë prapë në të ardhmen pasi që e ka edhe obligim, se dy palët i takojmë të njëjtit vend dhe të kontribojmë që t’i dërgojmë vlerat tona sa më lart që është e mundur.
TV Malisheva: Si e keni menduar nëse ai pretendon që do ta zbatojë kontratën deri në fund edhe pas largimit?
Morina: Ne e thamë që do t’ia paguajmë me dëshirë ato që ka punu, ndërsa për këto tjerat nuk besoj që Thaqi do të shkojë në atë masë, pasi që e din që të dy palët kemi punu me dërgu klubin e qytetit tonë pa interesa personale sa me lartë të jetë e mundur. Dhe nëse Thaqi është i gatshëm të na dërgojë në gjykatë ne do t’i përgjigjemi me pagesë sepse është vendas dhe familjar i yni, dhe nuk duam të mendojë keq për ne, sepse ne kemi pasur raporte miqësore e familjare.
TV Malisheva: Z.Morina ju po thoni që keni kaluar shumë mir me të, por Thaqi është ankuar edhe për kushtet e klubit. Sa qëndrojnë këto deklarata?
Morina: Duke i pasur parasysh ne kushtet që i kemi, në një komunë të varfër siç është Malisheva, dhe ne së bashku me trajnerin, i kemi takuar disa herë krerët komunal, ku së bashku me trajnerin, në bazë të mundësive tona kemi dhënë kontribut maksimal për klubin. Gjithashtu vlen të theksohet se Komuna është duke përfunduar stadiumin e ri të qytetit tonë, e cila është një arritje e jashtëzakonshme.
TV Malisheva: Z.Thaqi është ankuar edhe për ca drita?
Morina: Kjo ankesë e tij ose s’ka qenë e tij ose ka qenë duke bërë shaka që të bëhet viral i rrjeteve sociale, pasi që një pagë mujore që ai ka marr nga klubi (duke mos llogarit kontributet tjera) mund të kishte blerë 10 mijë llampa, duke e ditur që edhe ne dhe sponzoret tjerë jem me prejardhje nga Malisheva dhe të gjithë kemi kontribuar pa interes. Kështu që mendojmë se ka qenë hajgare e tij.
TV Malisheva: Cilat janë hapat e ardhshëm të klubit?
Morina: Hapat tonë janë drejt kreut të tabelës, dhe asnjëherë s’kemi pranu kushte, por kemi ofru kushte, për klubin dhe Malishevën. Tani jemi duke i pranuar 4 oferta të trajnerëve, 3 trajnerë vendas dhe një nga Shqipëria, gjithashtu lojtarët i kemi shumë të motivuar dhe shumë cilësor për kreun e tabelës, dhe mendojmë të jemi aty ku s’kemi qenë kurrë më parë, si klub e si shoqëri. Gjithashtu i urojmë suksese të mëdha në karrierë, Arsim Thaqit./TV Malisheva