Atletët paralimpik, Grevist Bytyqi dhe Vjollca Hoxha janë licencuar për të marrë pjesë në Lojërat Evropiane dhe Botërore në kuadër të Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Ky hap u konsiderua si tejet i rëndësishëm nga presidentja e këtij komiteti, Njomza Emini e cila tha se tani janë të hapura dyert që këta dy sportistë të marrin pjesë edhe në Lojërat Olimpike Paris 2024.

“Komiteti Paralimpik i Kosovës po konsolidohet çdo ditë e më tepër për në arenën ndërkombëtare, po anëtarësohemi në mekanizma ndërkombëtarë dhe tashmë pritet që edhe në muajin gusht të kemi edhe lajme të tjera, por do ta zbulojmë kur të vijmë nga Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Paralimpik. Duke qenë se jemi në nivel të tillë të ndërkombëtarizimit të sportit paralimpik, sot jemi mbledhur në këtë ngjarje edhe për një arsye tjetër. Licencimi i sportistëve dhe trajnerit të parë është sukses i madh për personat me aftësi të kufizuara, për sportistët me aftësi të kufizuara në Kosovë”, tha Emini.

“Siç e dini, deri më tani, sportistët tanë me gjithë potencialin që e kanë pasur personat me aftësi të kufizuara iu është pamundësuar pjesëmarrja e tyre në lojërat ndërkombëtare dhe botërore, por që nga sot është një festë, një faqe tjetër për Kosovën, për Komitetin Paralimpik, për personat me aftësi të kufizuara pjesëmarrja e tyre në garat ndërkombëtare dhe botërore”, tha Emini.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori i Francës në Kosovës Oliver Guerot i cili u tha dy sportistëve se Franca do t’i mirëpres ata në vitin 2024. Ai tha se ndihet krenar që ka ndihmuar në kët proces të licencimit të sportistëve të Kosovës .

“Franca ka qenë në anën e Kosovës duke e ndihmuar atë për shumë çështje dhe jam shumë krenar që ne gjithashtu ju kemi përkrahur si të njiheni në këtë familje të Federatës Paraolimpike. Mendoj se sporti është një garë e keqe, por sporti është gjithashtu rreth solidaritetit dhe kur unë ju shoh juve duke punuar, kur shoh atletët tuaj bashkë, mendoj se është një dëshmi e mrekullueshme solidariteti dhe jam shumë i lumtur që kemi pasur mundësinë të ju ndihmojmë dhe të jemi pjesë e përpjekjeve dhe suksesit tuaj. Mendoj gjithashtu se atletët tuaj mund të trajnohen në Francë para fillimit të lojërave dhe kjo është një gjë tjetër të cilën ne e kemi mbështetur”, tha Guerot.

Licencimin e mori edhe trajneri Adrian Mazreku. Me këtë rast ai premtoi se së bashku me atletët do të synojnë që Kosovës ti sjellin medalje edhe në këtë kategori të sportit. A theksoi se kontributi i shtetit të Francës në këtë licencim ishte shumë i madh.

“Për këtë falënderoj presidenten dhe gjithë stafin që ka punuar vazhdimisht tani e shumë muaj për këtë licencë, por pa e harruar ambasadorin dhe në përgjithësi shtetin e Francës që ne të licencohemi kaq herët që të jemi pjesëmarrës në Paris 2024. Unë besoj dhe shpresoj që ne do të paraqitemi shumë mirë atje, por tani e tutje pas këtij licencimi neve na mbettë shumë punë si trajner bashkë me atletët që Kosova të paraqitet sa më mirë në ato gara… Duhet të punojmë shumë që të paraqitemi sa më mirë në Lojërat Paralimpikë Parisi 2024”, tha Mazreku.

Ai shtoi se nga sot, së bashku me atletët paralimpik do të nisin punën që Kosova ta synojë rezultate sa më pozitive në Lojëra Paralimpike në Paris në vitin e ardhshëm.

/TV Malisheva

Share.