Një zjarr i madh nga viti 2016, i quajtur ‘Bisha’, shkatërroi Fort McMurray në Alberta, SHBA dhe detyroi 88,000 njerëz të evakuohen, duke djegur 2,400 shtëpi në rrugën e saj.
Shkencëtarët atëherë vunë re se ‘Bisha’ kishte shkaktuar një fenomen të çuditshëm – krijimin e “reve të zjarrta” të afta për të krijuar motin e tyre.
Ky fenomen i rrallë i motit ka ndodhur kohët e fundit në Australinë juglindore, ku zjarret kanë djegur afro 110,000 kilometra katrorë tokë dhe ku 100 zjarre të tjerë janë aktualisht aktivë, raporton NBC News.
Shkencëtarët shpjegojnë se retë e zjarrit kanë qenë rreth e rrotull pasi ndryshimi i klimës bën që sezonet e zjarrit të zgjasin më shumë.
Reja e zjarrit mund të prodhojë vetëtima, bubullima dhe forca të erës si ato në një tornadoje për të nxjerrë nxehtësinë nga vetja – duke kontribuar në një përhapje edhe më të shpejtë të zjarrit, transmeton KosovaPress.
Mike Fromm, një meteorolog në Uashington, ka studiuar këto re për dy dekadat e fundit dhe nuk është sekret që në fillim të hulumtimit të tij ai ishte në mosbesim ndaj asaj që kishte para tij.
“E gjithë pamja e këtyre reve ishte plotësisht e panjohur për komunitetin shkencor. Në 10 vjetët e ardhshme, ne do të duhet të përballemi jo vetëm me ekzistencën e këtyre reve, por edhe me një fenomen të shpeshtë të motit”, pohon Fromm.
Vlerësohet se rreth 400,000 kilometra katrorë në të gjithë botën do të digjen çdo vit për shkak të zjarreve, por nuk dihet se sa për qind e zjarreve ndikojnë në formimin e këtyre reve. Sidoqoftë, ajo që dihet është se ato janë mjaft shkatërruese kur formohen.
“Këto stuhi janë shumë intensive, të parregullta, të rrezikshme dhe të vështira për t’u parashikuar. Në Fort McMurray, retë e zjarrit shkaktuan stuhi në një zonë që përfshinte 20 deri në 30 kilometra”, thotë Mike Flannigan, drejtori i shoqatës për shuarjen e zjarrit një degë e Universitetit të Albertës.
Si formohen retë e zjarrit?
Në shkurt të vitit 2009, gjashtë re zjarri përfshiu shtetin Australian të Victoria, duke shkaktuar një nga zjarret më shkatërruese në këtë kontinent.
Shkencëtarët nuk janë të sigurt pse disa zjarre ndikojnë në formimin e reve të zjarrit dhe të tjerët jo, por ata e dinë se u duhen tre kushte për të formuar: nxehtësia, thatësira dhe era.
Ndonjëherë zjarret me intensitet të lartë mund të shkaktojnë ngritje të hirit, tymit dhe avullit të ujit, dhe ndërsa ky ajër i ngrohtë ftohet dhe trashet, formohen retë, e cila është një proces i ngjashëm me atë të stuhive të zakonshme.
Ky lloj reje është vërejtur në pjesë të tjera të botës – në Afrikën e Jugut, Portugali dhe Argjentinë.
Një studim i vitit 2018 zbuloi se sasia e tymit dhe mjegullës nga retë e zjarrit që hyjnë në stratosferë është e barabartë me sasinë e tymit të gjeneruar gjatë një shpërthimi mesatar vullkanik.
Pjesë të hirit dhe grimcave të tjera mund të shkaktojnë që temperatura e planetit të bjerë, pasi ato thithin rrezatimin diellor, duke zvogëluar sasinë e rrezeve të diellit që arrijnë në sipërfaqen e Tokës.
Për shembull, shpërthimi i vullkanit Mount Saint Helens në vitin 1980 ndihmoi në uljen e temperaturës me 0,1 gradë Celsius.