Pas pohimit nga kreu i FFK-së, Agim Ademi, se Drilon Hazrollaj është në listën e trajnerit të ri të Përfaqësueses së Kosovës, Franco Fodas, atij i dërgohet ftesa për ndeshjet e Kosovës në mars.

19-vjeçari po shkëlqen me fanellën e Malishevës, mirëpo përzgjedhësi i Kosovës U-21, Afrim Tovërlani, nuk llogarit më në shërbimet e tij.

Siç dihet, Tovërlani kohë më parë kishte deklaruar se Hazrollaj e ka derën e mbyllur te “Dardanët”, derisa ai të jetë trajner i Kosovës U-21.

Megjithatë, Ademi në një intervistë të dhënë së fundi për “TV Arbëria”, ka thënë se sulmuesi i Malishevës mund të ftohet nga Kombëtarja A.

Sipas të parit të FFK-së, Hazrollaj është në listën e përzgjedhësit të ri, Franco Foda.

“Hazrollaj mund të mos luaj asnjëherë te Afrim Tovërlani në U-21. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të luaj të Kombëtarja A. Pse? Sepse ky trajneri i ri që ka ardh (Franco Foda) unë e kam parë që e ka në lista dhe sigurisht se do t’i shkojë një ftesë”, ka thënë Ademi.

Dardanët do të luajnë fillimisht më 22 mars kundër Armenisë në Yerevan, derisa më pas më 26 mars do të përballen me Hungarinë në Budapest.

Ndryshe, Hazrollaj është duke shkëlqyer në Superligën e Kosovës, pasi këtë sezon ka shënuar 15 gola dhe 7 asistime në kampionat, dhe tri gola dhe dy asistime tjera në Kupën e Kosovës. /TV Arbëria

Share.