Partia Demokratike në Shqipëri ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta, raporton TV Malisheva.
Në një deklaratë të kësaj partie, shkarkimi i Metës është cilësuar si ‘sulm antikushtetues i parlamentit ilegjitim mbi institucionin e presidentit të Republikës’.
“Ky është akt që thellon edhe më shumë tiparet antidemokratike të regjimit Rama-Doshi. Ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë. Përfaqësuesit e krimit të organizuar në Kuvendin njëpartiak të Shqipërisë nuk mund të jenë kurrë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrin vendime në emër të saj. Edi Rama ka përdhosur me qindra herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe është ekspozuar përpara çdo shqiptari si armik i demokracisë dhe shtetit ligjor”, thuhet më tej në këtë deklaratë.
PD ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta ruaj paanësinë.
“Partia Demokratike e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.
Ilir Meta u shkarkua sot nga deputetët e Kuvendit me 105 vota për, 7 kundër dhe 3 abstenime./TV Malisheva