Drejtorët e Arsimit nga radhët e PDK-së në nivel komunal, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre karshi propozimit të fundit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që librat të blihen nga prindërit duke i rimbursuar ato me arsyetimin se shtëpitë botuese kanë ofruar çmime të larta.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati i ka quajtur të paaftë Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit sa i përket këtyre veprimeve.

Musmuarati tha se propozimi i ri i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e librave është shembulli i fundit dhe më i freskët i keq-qeverisjes në arsim, ashtu si edhe në sektorët tjerë.

“Tentativat për të fshehë dështimin në arsim me arsyetime e fshehje pas gabimeve të së kaluarës duhet të marrin fund. Gabimet nuk përmirësohen me gabime më të mëdha. Prindërit gjithandej nëpër Kosovë janë tejet të shqetësuar me situatën e re e cila pritet të krijohet, ku edhe shtatori i dytë nën qeverisjen Kurti po i gjenë nxënësit me probleme për të nisur vitin shkollor”, tha Musmurati.

Ajo tha se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, duke shtuar se janë të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla.

“Në vend se Qeveria ta zvogëlojë barrën financiare të shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, ajo po kontribuon që të dëmtohen financiarisht edhe prindërit, po edhe vetë buxheti i shtetit. Ministria e Arsimit po përpiqet që dështimin e tyre për furnizim të nxënësve me libra ta mbulojë me arsyetime e improvizime”, ka thënë Musmurati.

Ajo tha se pasojat që do t’i bartin nxënësit janë të mëdha pasi do të humbasin orë mësimi.

/TV Malisheva

Share.