Gjykata Kushtetuese mbrëmë me anë të një komunikate e informoi opinionin se ka vendosur në disfavor të kërkesës “KO 160/23, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Trupi gjykues i institucionit më të lartë juridik ka konstatuar njëzëri se kjo kërkesë e PDK-së, është e “papranueshme për shqyrtim në merita” sepse e njëjta nuk është “ratione materiae” në pajtim me Kushtetutën.
Mirëpo, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit Faton Fetahu, i cili e kishte përfaqësuar këtë parti para Gjykatës. Sipas avokatit Fetahu, ky verdikt i çuditshëm i Gjykatës Kushtetuese, krijon asi implikime juridike dhe politike ku “vendimet e Kryetarit dhe/apo Kryesisë janë jashtë juridiksionit kushtetues dhe për rrjedhojë, të njëjtat as nuk mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese apo në gjykatat e rregullta (përveç kur krijojnë, ndryshojnë apo shuajnë një të drejtë individuale).
Pra, vendimi vazhdon t’i krijojë hapësirë Kryetarit të Kuvendit që t’i thërrasë seancat në çdo kohë dhe pa e përfillur afatin e Rregullores për njoftim paraprak të deputetëve (para 72 orëve)”.
Megjithatë, sipas përfaqësuesit juridik të PDK-së, “në kuadër të gjetjeve të gjykatës është nënvizuar edhe njëherë fakti se: seancat e Kuvendit thirren nga Kryetari i Kuvendit; dhe se rendi i ditës së seancave të Kuvendit caktohet nga Kryetari i Kuvendit dhe i njëjti diskutohet në Kryesinë e Kuvendit dhe konsiderohet i miratuar, përveç kur nuk ka konsensus, duhet t’i paraqitet seancës plenare për miratim”.
Prandaj, për avokatin Fetahu pikërisht, “vendimi për caktimin e Seancës Plenare të 13 korrikut as nuk ishte diskutuar në Kryesi e as nuk ishte paraqitur për votim në Kuvend. Në këtë rast, Kryetari i Kuvendit, as nuk kishte respektuar afatin për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe as nuk e kishte vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i dështimit të mbajtjes së mbledhjes së saj”.
Kështu me trajtimin që i ka bërë këtij rasti, Gjykata Kushtetuese ka krijuar bazë që në të ardhmen Kryetari dhe Kryesia ta përdorin këtë organ të Kuvendit edhe në mënyrë arbitrare. Dhe për tepër që të jenë të imunizuar juridikisht nga “ndjekja” kushtetuese për këto veprime eventuale.
/TV Malisheva