Ndonëse tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK e lëshuan sallën pas fjalimit të kryeministrit Albin Kurti ku foli për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi u rikthyen në sallë shefat e këtyre partive opozitare.

Derisa PDK kërkoi që të shkarkohet Bordi dhe kryeshefi i KEK-ut, nga LDK e AAK deklaratat e Kurtit i konsideruan sulme ndaj sistemit të drejtësisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi nga kryeministri Kurti që ta shkarkoj Bordin e KEK-ut dhe kryeshefin, Nagip Krasniqi i cili dje është arrestuar.

“Ne e shohim se ekziston tani një siklet jashtëzakonisht i madh tek ju dhe tek komplet Grupi Parlamentar, por po ta kujtoj që gjënë e parë që do të duhej me pas sot ju si kryeministër ta mblidhni urgjentisht qeverinë dhe ta shkarkoni Bordin e KEK-ut dhe ta lironi nga detyra kryeshefin i cili tashmë po mbahet në burg. Kryeshefi që tashmë po mbahet në burg po mbahet edhe në detyrë nga pozicioni juaj, sepse e mban në detyrë edhe Martin Berishaj dhe Albin Kurti…Debate të tilla nga kryeministrat në këtë sallë nuk kanë ndodhur asnjëherë, sepse iu kanë lënë rrugë hetimeve nuk është sulmuar asnjëherë organi i akuzës. Por, të bëjë thirrje shkarkoje Bordin, po të bëjë thirrje shkarkoje kryeshefin që po mbahet në burg, kjo nuk iu bënë nder as juve as Kosovës. Ky mllefi i juaj sot kalon por dëmi që po i bëhet vendit tonë brenda dhe jashtë është jashtëzakonisht i rëndë“, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u shpreh se ato që i deklaroi Kurti për sistemin e drejtësisë janë sulm ndaj këtij sistemi.

Sipas tij, nëse kryeministri, kryeparlamentari e presidentja përzihen në sistem të drejtësisë është puç institucional.

“Pasi që kryeministri e pa që ne nuk jemi këtu, filloi një monolog mashtrimi edhe pse me votë e refuzoi debatin….Sa për kapjen e sistemit të drejtësisë zotëri kryeministri nga gjithsej 450 gjyqtarë në qeverisjes tuaj janë emëruar 100 gjyqtarë prej 450 që janë emëruar në tërësi për tri vjet… Prej 210 prokurorëve janë emëruar në qeverisjen tuaj, 29 prokurorë më shumë asnjëherë për një kohë kaq të shkurt të qeverisjes nuk janë emëruar. Keni tentuar me kap sistemin prokurorial dhe gjyqësor, duke vepruar në mënyrë jo kushtetuese me KPK, prandaj zotëri Kurti ato që i thatë këtu janë sulm direk mbi sistemin e drejtësisë. Kryeministrit, kryetari i Kuvendit dhe presidentja nuk kanë të drejtë me u përzier në çështjet e drejtësisë, ai është sistem i pavarur nëse përzihen bëjnë puç institucional dhe atë e paralajmërove ti sot”, tha Gashi.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kërkoi nga Kurti që ta merr anën e drejtësisë dhe ligjit.

“Udhëheqësit e zot e dinë që i bie se nëse dikush nga radhët ka shkelur ku nuk duhet me ia tregua vendin, me dhimbje po them, por duhet me ia tregua vendin. Nuk besoj që është besnikëri apo lojalitet me marr pozicion të gabuar në interes të përgjithshëm….E kisha lut kryeministrin ta merr anën e ligjit dhe drejtësisë edhe nëse ka dyshime dhe nëse mendon se ka konspiracione”, tha ai.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i reagoi kryeministrit Kurti duke i thënë se ndërhyrjet e tij në sistem të drejtësisë janë të papranueshme.

Sipas saj, po të dëshironte prokurori, Blerim Isufaj të bëhet me çdo kusht kryeprokuror do të shkonte në zyrën e Kurtit për të bërë pazare.

“Ndërhyrjet që po i bënë në sistemin e drejtësisë me deklaratat tuaj janë të papranueshme nuk mundemi me u pajtua me Gjykatën Kushtetuese kur ajo rrëzon qeverinë Hoti dhe mos me u pajtua kur ajo e shpall antikushtetues ligjin për KPK, sepse me atë ligj keni tentua me kap KPK, kështu skandali i djeshëm e shpërfaqi se për çka iu duhen njerëzit e juaj. Prokurori që ju po e thoni se nuk e doni dhe ai me çdo kusht do të bëhet prokuror, unë mendoj se sikur të dëshironte me çdo kusht të bëhej prokuror, ai kishte me ardhur me dosjen e Nagip Krasniqit dhe kishte bërë pazarin, por përkundrazi ai nuk po dëshiron me bë një gjë të tillë dhe këtij vendi i duhen prokuror dhe gjyqtar që nuk i frikësohen askujt. Zotëri kryeministër nuk mundeni me nda drejtësi me përkatësi partiake”, theksoi ajo.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve në Kuvend, për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi tha se Blerim Isufaj që po synon të bëhet kryeprokuror i shtetit, nuk e ka asnjë rast të fituar në gjykatë. Për të njëjtin u shpreh se nuk është vullneti i presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Shefi i ekzekutivit u shpreh se në Prokurorinë e Shtetit ekziston disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.

/TV Malisheva

Share.