Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka dorëzuar të premten në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili është miratuar në Kuvend gjatë javës së kaluar.
Deputeti Tahiri tha se ky ligj i cili nuk ka hyrë në fuqi ende, cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe shtrin ndikimin e politik në këtë Këshill.
Tahiri: Asnjëherë nuk kemi pasur një tendencë kaq të qartë të kapet një sistem të tërë prokurorial
“Që prej themelimit të institucioneve në Kosovë, asnjëherë nuk kemi pasur një tendencë kaq të qartë të kapet një sistem të tërë prokurorial siç ka ndodhur me miratimin e fundit të ligjit nga mazhoranca e drejtuar nga Vetëvendosje. Konsiderojmë që ky ligj bie ndesh me 6 nene të Kushtetutës. Besojmë plotësisht që argumentimet të cilat ka sjellë PDK-ja, në draftin që e kemi dorëzuar tani në ankesën tonë, konsiderojmë që është një bazë e mjaftueshme për ta nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën një ligj të tillë”, tha Tahiri.
Sipas tij, në mes të dy leximeve po ashtu nuk janë marrë parasysh në tërësi edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Tahiri: Tashmë vendimmarrja e KPK-së është direkt e varur nga politika
“Ajo që e degradon plotësisht KPK-në është prezenca e njerëzve të politikës. Ju e dini që tashmë ka ndryshuar edhe përbërja e Këshillit me ligj të ri, vendimmarrja është e varur direkt nga prezenca e njerëzve të politikës që dërgohen përmes Kuvendit… Tashmë ka degraduar komplet, tashmë edhe një zyrtar që i ka kryer nja 7-8 vjet pune si zyrtar, qoftë edhe në Byronë e Sigurimeve, mund të bëhet anëtar i KPK-së. Pra, kjo ka degraduar edhe në aspektin profesional. Në anën tjetër, tashmë vendimmarrja e KPK-së është direkt e varur nga politika, pra KPK-ja me ligj të ri nuk mund të ketë as kuorum as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës që dërgon mazhoranca, në këtë rast që dërgon Kuvendi. Pra, kjo është e papranueshme”, theksoi ai.
Ligjin për KPK-në e ka kundërshtuar edhe vet Këshilli Prokurorial të Kosovës që i kanë kërkuar Avokatit të Popullit ta referojë në Gjykatë Kushtetuese./TV Malisheva