Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Prokurorisë së Kosovës që të hetojë të gjitha kontratat e Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim në periudhën me pandeminë COVID-19.
Sipas partisë opozitare, në tenderët e kësaj ministrie ka afera korruptive prej miliona eurosh.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Donjet Bislimi në një konferencë për media adresoi akuza ndaj ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
“I bëj thirrje Prokurorisë që të vihet në lëvizje për të hetuar këto kontrata në kohë pandemie. Si shpjegohet se vetëm gjatë muajit prill dhjetë tenderë i janë dhënë të njëjtës kompani? Kjo quhet hajni”, tha Bislimi.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë dje përmes një deklarate për media iu ka bërë thirrje të gjitha organeve mbikëqyrëse të Prokurimit Publik, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Policisë së Kosovës-Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike që të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik ku autoritet kontraktues është kjo ministri.
“MSH ka ftuar në secilën procedurë të zhvilluar të prokurimit publik sa më shumë kompani pjesëmarrëse me qëllim të respektimit të konkurrencës dhe nxjerrjes së çmimeve sa më të favorshme me qëllim të ruajtjes së buxhetit të taksapaguesve kosovarë. Para çdo procedure të zhvilluar, Komisioni për vlerësimin e çmimeve ka dalë në terren për verifikimin e tyre vetëm që mos të krijohen mundësi potenciale të fryrjes artificiale të çmimeve”, thuhet në komunikatë.
MSH rikujton se hamendësimet, dyshimet e pabazuara dhe aludimet me qëllime të ulëta përmes emisioneve e deklaratave të ndryshme të individëve nuk përbëjnë fakte, e as nuk janë argumente për të provuar të goditet një institucion, i cili gjatë kësaj kohe, ka mobilizuar të gjitha resurset e veta në menaxhimin korrekt të situatës epidemiologjike dhe ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.
MSH do të insistojë që çdo pretendim i hedhur nga secila palë të ndriçohet dhe do të jetë në gjendje të ndërmarrë masa ndaj çfarëdo shkeljeje eventuale nga ana e cilit do zyrtar të saj, por i rikujton të gjithë ata që plasojnë dezinformata dhe shpifje, sidomos në këtë kohë pandemie, që edhe këto janë akte të dënuara me ligjet në fuqi. /Tv Malisheva