Sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby, deklaroi sot se Rusia nuk ka përmbushur objektivat e saj në terren dhe se ka shtuar bombardimet e saj ndaj qyteteve të Ukrainës.

“Ne jemi në ditën e 26-të, rusët qartësisht nuk kanë arritur shumë ose pothuajse të gjitha objektivat që kishin vendosur të arrinin. Kur shikoni se çfarë kanë arritur të bëjnë në 26 ditë, nuk është aq mbresëlënëse”, tha Kirby.

Kirby tha se ukrainasit po luftojnë me guxim për të mbajtur qytetet, duke treguar qytetin e rrethuar të Mariupolit.

“Ata kanë dështuar në arritjen e shumë objektivave të tyre. Për shkak se ata kanë ngecur… ata po i shtojnë zjarret e tyre me rreze të gjatë… ata po hedhin një sasi të madhe pajisjesh në këto qytete për të detyruar dorëzimin e tyre,” shtoi ai.

Kirby vuri në dukje se bombardimet e shtuara po rezultojnë në më shumë viktima civile dhe dëmtime në infrastrukturën kyçe si shkollat dhe spitalet, duke argumentuar se bombardimet kanë qenë “kryesisht pa dallim”.

Ai lavdëroi gjithashtu se si ushtria ukrainase ka maksimizuar burimet e saj për të parandaluar forcat ruse të fitojnë epërsi ajrore, duke thënë se Pentagoni vlerëson se Rusia ende nuk e ka kontrollin e qiellit pas 26 ditësh, transmeton Fox News.

 

Share.