Një studim i ri zbulon se sa seriozisht një rritje e temperaturës prish ritmin tonë të gjumit.

Rritja e temperaturave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike po redukton kohën e gjumit të njerëzve. Problemi do të përkeqësohet ndjeshëm deri në fund të shekullit nëse njerëzimi nuk arrin të frenojë emetimet e tij të dyoksidit të karbonit, sipas një studimi të fundit në One Earth.

Ky përfundim u arrit nga një ekip studiuesish, të udhëhequr nga Kelton Minor nga Universiteti i Kopenhagës. Midis 2015 dhe 2017, ata mblodhën të dhëna nga byzylykët e monitorimit të gjumit të përdorur nga më shumë se 47,000 njerëz në 68 vende.

Të dhënat e mbledhura të gjumit u krahasuan me të dhënat lokale të motit.

Rezultatet treguan se netët jashtëzakonisht të nxehta, ato me temperatura mbi 30°C, i bëjnë njerëzit të flenë mesatarisht rreth 14 minuta më pak.

Studimi zbuloi se qytetari mesatar i botës tashmë po humbet 44 orë gjumë në vit. Kjo humbje gjumi lidhet me faktin se trupi i njeriut duhet të ftohet para se të bie në gjumë, por kjo bëhet më e vështirë kur është shumë vapë.

Kombinimi i të dhënave me skenarë të ndryshëm klimatikë tregon se deri në fund të vitit 2099, koha e gjumit të humbur mund të rritet në 50 deri në 58 orë në vit. Gjasat që gjumi të zgjasë më pak se shtatë orë optimale rriten gjithashtu me rritjen e temperaturës.

Përveç kësaj, Kelton Minor dhe kolegët e tij vunë në dukje se grupe të caktuara janë më të prekshme se të tjerët, kështu që efekti i temperaturës në humbjen e gjumit është dukshëm më i madh për banorët e vendeve me të ardhura më të ulëta, si dhe për të moshuarit dhe gratë.

Hulumtimet tregojnë gjithashtu se njerëzit nuk kanë ndryshuar sjelljen e tyre të përditshme për të përballuar mungesën e gjumit, pra nuk kanë mundur të kompensojnë orët e humbura të pushimit duke dremitur gjatë ditës. Të anketuarit gjithashtu nuk janë përshtatur me nxehtësinë sezonale, përkatësisht nuk është vërejtur se ata flenë më lehtë gjatë një nate të ngrohtë në fund të verës sesa në fillim të verës.

Rezultatet e studimit duhet të jenë hyrje në një studim më të gjerë mbi kushtet e gjumit të popullatës që jeton në pjesët më të ngrohta të botës, veçanërisht në Afrikë, Amerikën Qendrore dhe Lindjen e Mesme. Kjo temë duhet të jetë kryesisht në fokus të vendimmarrësve dhe politikanëve, të cilët do të jenë përgjegjës për përshtatjen e qyteteve dhe vendbanimeve ndaj rritjeve të pritshme të temperaturës.

/TV Malisheva

Share.