Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi priti sot në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin, i shoqëruar nga përfaqësues të bizneseve të gastronomisë.

Në takim u diskutua rreth masave të reja, të marra nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, në kuadër të së cilave preket edhe gastronomia.

Ministri Krasniqi i njoftoi të pranishmit se ka krijuar një trupë të brendshme në ministri për t’i trajtuar ankesat e bizneseve, që do të ndihmojë në sqarimin e paqartësive të bizneseve lidhur me masat e reja, dhe njëkohësisht këto ankesa do të adresohen edhe në Zyrën e Kryeministrit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se është e rëndësishme të sqarohen edhe njëherë masat e reja për lokalet e gastronomisë lidhur me shërbimin “Delivery” dhe “Take-away”, si dhe çështjen e lejimit të punës për pishinat e hapura.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë kërkuan ndëshkimin e lokaleve të cilat nuk i respektojnë masat kundër pandemisë CCVID-19, si dhe shprehën interesimin lidhur me atë se në çfarë mase do të subvencionohen këto biznese në kuadër të pakos për rimëkëmbjen ekonomike./Tv Malisheva

Share.