Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji , ka mbajtur seancën e tij të dytë me radhë për këtë vit. Në këtë takim pas shqyrtimit, Bordi i ZRRE ka miratuar Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike për vitin 2022.
Siç thuhet në njoftimin e ZRRE-së, qëllimi kryesor i miratimit të Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike është që të projektojë përmbushjen e nevojave të konsumatorëve me energji elektrike, në sasi të mjaftueshme gjatë vitit, duke angazhuar kapacitetet e prodhimit dhe importit të energjisë elektrike.
Në këtë seancë, Bordi ka miratuar edhe Bilancet Vjetore të Energjisë Termike për ndërmarrjet NQ Termokos dhe NQ Gjakova.
“Në këtë seancë, Bordi i ZRRE-së, ka caktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në kuadër të Licencës për Furnizim, që të ushtrojë përkohësisht, por jo me gjatë se gjashtë (6) muaj funksionin e furnizuesit të mundësisë së fundit, periudhë kjo brenda të cilës do të zhvillohet tenderi i ri”.
“Bordi i ZRRE-së, ka shqyrtuar aplikacioni tarifor të NQ Gjakova, duke marrë parasysh se, të hyrat gjegjësisht tarifat kanë ndikim direkt në konsumatorin, por edhe në qëndrueshmërinë financiare dhe operative të ndërmarrjes, Bordi ka kërkuar që vlerësimi i aplikacionit tarifor të vendoset në konsultim publik për një periudhë dy javore. Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së./TV Malisheva