Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vlora Dumoshi, në emër edhe të 12 deputetëve të tjerë të partive të ndryshme ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Kuvendit për shkarkimin Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Në të vërtetë, shkarkimin e Gashit e solli në Kuvend si propozim-vendim Qeveria e Kosovës, e cila mori miratimin e deputetëve të pushtetit në seancën e famshme të 13 korrikut.

Dumoshi tha se shkarkimi i Gashit është antiligjor dhe antikushtetues.

“Sot në emër të 13 deputetëve të subjekteve të ndryshme parlamentare, dorëzova në Gjykatën Kushtetuese lëndën me të cilën kontestojmë si në formë ashtu edhe në përmbajtje, Vendimin e Kuvendit të Kosovës Nr.08-V-583 të datës 13.07.2023, ku kundërligjshëm dhe kundër Kushtetutës shkarkohet zj.Kimete Gashi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. Kushtetuta dhe kushtetushmëria janë domosdoshmëria e Republikës sonë”, tha ajo.

Më herët gjatë ditës, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar.

Tahiri ka potencuar se seanca e fundit plenare (13 korrik) duhet të anulohet, si dhe të gjitha vendimet që janë marrë atë ditë.

Ai ka shtuar se kanë kërkuar masë të përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga seanca e fundit plenare.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka deklaruar se PDK është pozicionuar kundër qytetarëve të vendit. Sipas tij, PDK po dëshiron t’i hakmerret qytetarëve për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.

Ndryshe, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e 13 korrikut, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

Por, përkundër këtyre, Kuvendi ka miratuar një sërë projektligjesh, ndër to edhe Projektligjin për pagën minimale.

/TV Malisheva

Share.