Në këtë periudhë të vitit, shqetësimi më i madh për shëndetin tonë është si të parandalojmë apo luftojmë gripin. Kolla, ethet, temperatura e lartë, dhembja e të gjithë muskujve… këto janë simptomat që pothuajse të gjithë i kemi provuar kur jemi prekur nga gripi, e prej të cilit jemi detyruar madje edhe të bëjmë pushim të detyruar për disa ditë. Mbrojtja më e mirë është parandalimi, ndaj më poshtë gjeni disa këshilla të vlefshme si t’ia hidhni paq virozave të stinës.
Dezinfektoji duart pas prekjes së dorezave në dyert e tualeteve publike, pas takimit me njerëz të sëmurë, pas frekuentimit të internet-kafeve, etj.
Mos i fërko sytë me dorë, madje mundohu ta prekësh fytyrën sa më pak.
Pastroji thonjtë, sepse janë një vend i mrekullueshëm për mikrobet.
Gjërat e tua personale ruaji si të tilla.
Ajros shtëpinë dhe vendin e punës çdo herë që ke mundësi.
Hidh menjëherë çdo shami letre që përdor. Pas një kërkimi të zhvilluar nga Universiteti i Kardifit, në Britaninë e Madhe, gjysma e grave të intervistuara dhe dy të tretat e mamave pranuan se me apo pa dashje, në çantat apo xhepat e tyre kishte gjithmonë shami letre të përdorura, shkruan living.Sipas drejtuesve të kërkimit, viruset e zakonshme të të ftohtit apo rrufës mund të jetojnë deri në 48 orë, nëse gjejnë një mjedis të ngrohtë si çanta apo xhepi dhe mund të përhapen menjëherë në të gjitha objektet që gjejnë aty.
Asnjëherë mos e ngroh apo ftoh më shumë se ç`duhet mjedisin ku qëndron. Ndërro peshqirët e duarve e të fytyrës çdo 2-3 ditë dhe laji me ujë të nxehtë.