Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar kryeministrit Avdullah Hoti të raportojë për pandeminë në Kuvend.

Situata me koronavirusin në Kosovë është përkeqësuar prej shtimit të rasteve dhe viktimave në javët e fundit duke e renditur Kosovën një nga vendet me infeksionin më të lartë nga COVID-19 për 100 mijë banorë.

Ndërkohë si kryeministër Avdullah Hoti ka marrë masat me ndëshkime në rast thyerjesh të tyre, teksa të vetmin raportim në Kuvend e ka bërë për dialogun Kosovë- Serbi. Kujtojmë se Hoti përveç se kryeministër, i zuri vendin Vjosa Osmanit në LDK si nënkryetar partie.

“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, ndër të tjera kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit rreth menaxhimit të pandemisë në vend. Pas konsultimit me anëtarët e kryesisë, njëzëri jemi dakorduar që t’u ftojmë për raportim në Kuvendin e Republikës së Kosovës lidhur me këtë çështje.

Prandaj në emër të Kryesisë së Kuvendit, ju ftoj për raportim në Kuvend në mënyrë që ta njoftoni Kuvendin, lidhur me të gjitha veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth menaxhimit dhe parandalimit të pandemisë”, thuhet në letrën e Osmanit drejtuar Hotit.

Share.