Në këtë përurim të veprës së Halil Berishës- Plaku, mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati me bashkëpunëtorë nga qeveria  komunale.

Ai për autorin tha, ”fjalë të vlerësuar lartë për angazhimin e tij në lëvizjen ilegale, pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave, angazhimin e drejtpërdrejt në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe vazhdoi, ”plaku njihet edhe si pleqnar, humanist e tash edhe si rrëfimtar ku rrëfimet e ndëgjuara e të mësuara po i kthen në libra për lexuesit dhe studiuesit tanë”.

 Për veprën, ”Lëmshi i Lashtë”, në praninë e shumë dashamirësve të librit, folën redaktori, Habiba Zogaj dhe recensenti, Mehmet Bashota.

Redaktori i veprës Habib Zogaj, ndër të tjera, theksoi: ”Autori, Halil Berisha- Plaku, i paqes dhe luftës, këtë herë del para lexuesve me një lëmsh që për t’u bërë, ka kërkuar punë por edhe për t’u shtjelluar kërkon punë edhe më të përkushtuar, ndoshta më delikate se sa tjerrja por përkushtimi e angazhimi në vijim qon kah produkti final”, përfundon Zogaj.

Ndërsa recensenti i veprës, Mehmet Bashota për librin u shpreh ”Lëmshi përbëhet nga një sasi penjsh të mbledhur i bërë si top, i cili fillimisht ka fill, por më vonë ai mund të humbet, sepse ka thurje e ndërlikime të njëpasnjëshme nga fije të ndryshme penjsh, por ai komplikohet kur pështillet dhe i humb fija, dhe vazhdon, kështu autori përmes figurës së krahasimit, metaforës ka paraqitur një lëmsh temash e mendimesh. Pra, ka paraqitur sifda të shumta në punë, në jetë, në luftë, në paqe e ku do tjetër”, përfundoi Bashota.

Për Librin dhe autorin, folën edhe shokë nga ilegalja e lufta çlirimtare si dhe për angazhimet e tij të hershme  si veprimtarë i çështjes kombëtare.

Në fund Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ndau mirënjohje për autorin e librit ”Lëmshi i Lashtë”, Halil Berisha.

Autori i falenderoi të gjithë pjesëmarrësit përzemërsisht.

/TV Malisheva

Share.