Janë mbyllur entet arsimore, objektet hoteliere dhe shumica punojnë nga shtëpia. Si mund të ndikojë kjo në marrëdhënien juaja me partnerin?

Po ju sjellim disa këshilla dhe përgjigje.

Tregimet romantike dhe filmat shpesh na imponojnë supozimin që, nëse dikë vërtet e dashurojmë, atëherë duam të kalojnë çdo sekondë me atë person.

Mirëpo, përvojat tona jetësore flasin ndryshe – të qenit bashkë dhe të qenit të ndarë bashkëjetojnë njëra me tjetrën, sikur frymëmarrja.

Vetizolimi nuk është planifikuar dhe përfundimisht nuk është pritur, andaj është i mbushur me anksiozitet, situata të pakëndshme dhe frikë duke pritur lajme të reja mbi pandeminë.

Për këtë shkak situata ndoshta edhe nuk do të jetë ideale, andaj lexoni disa këshilla të cilat do të mund t’ju ndihmojnë që të kaloni sa më mirë për faktin që ju dhe partneri juaj patjetër duhet ta kaloni gjithë ditën bashkë në të njëjtën hapësirë.

Veproni

Pozitiviteti është ai tipar që ju bën të shprehni vazhdimisht lumturinë dhe kënaqësinë kur shpenzoni kohë së bashku. Gjithashtu, kuptimi, përmes dëgjimit, faljes dhe mosshfaqjes së paragjykimeve, ju bëjnë një partner më të mirë.

Zbuloni gjëra për veten, ndjenjat dhe historinë tuaj për të inkurajuar partnerin/en që të bëjë të njëjtën gjë në lidhjen tuaj. Ndarja e detyrave dhe përgjegjësisë, rrit gjithashtu marrëdhënien tuaj.

Shprehni mirënjohjen

Të ndjerit mirënjohje është një gjë, por t’ia thoni partnerit tuaj, është një gjë tjetër. A e shprehni ju mirënjohjen tuaj?

Duhet të dini se ndarja e ndjesive, sidomos e mirënjohjes, lidhet me perceptimet pozitive për partnerin dhe për vullnetin e mirë për të çuar përpara marrëdhënien dhe për t’i zgjidhur problemet e saj.

Përqendrohuni te përulësia

Ndihmoni marrëdhënien tuaj duke kontrolluar egon tuaj. Jo vetëm që njerëzit e përulur mbledhin më shumë pozitivitet te vetja, por ato përhapin edhe një frymë mirëkuptimi dhe ndjesi shumë optimiste.

Kaloni kohë cilësore së bashku

Provat tregojnë se nëse kaloni kohë që ia vlen së bashku, do të keni një marrëdhënie që ju kënaq dhe që gjithashtu nxjerr në pah më të mirën tuaj.

Është shumë e rëndësishme që të mos kaloni një kohë të tepërt, pa sjellë asgjë të re në marrëdhënien tuaj, por qoftë edhe pak kohë, që ka cilësi dhe që sjell risi.

Silluni mirë

Provat shkencore kanë zbuluar se dashuria për veten, bën mrekulli në një lidhje. Duke ndier një solidarizim me veten, ju do të mund të ofroni më tepër kujdes për partnerin tuaj, sepse ju do ta dini se sa e rëndësishme është që t’i ofroni një njeriu ngrohtësi.

Marrëdhëniet më të shëndetshme, sipas shkencës, reflektojnë përpjekje nga të dy partnerët për të zgjidhur nevojat e secilit dhe të dyve njëkohësisht. Kini parasysh se duhet të jeni në kontakt të vazhdueshëm me ndryshimet tuaja dhe ato të partnerit. /Tv Malisheva

Share.