Kryeministri bullgar, Kiril Petkov konfirmoi se sipas vendimeve të së hënës të Këshillit Evropian për sanksionet ndaj Rusisë, Bullgaria do të përjashtohet nga embargoja e importit të naftës ruse deri në fund të vitit 2021. Sipas tij, ky përjashtim është qenësor për Bullgarinë.
Petkov tha se pagesat për naftën ruse kryhen ndryshe nga pagesat për gazin natyror dhe janë të përjashtuara nga mekanizmi i transferimit të rublave. Kryeministri tha se përjashtimi do të lejojë që rafineria e naftës në Burgas të përshtatet për të punuar me naftë jo-ruse. Sipas tij, Bullgaria mbetet i vetmi vend që ka akses në port, por i është dhënë një përjashtim për shkak se rafineria e naftës është projektuar për të punuar me naftën ruse. Ai tha se një pjesë e madhe e flukseve të parave nga BE-ja në Rusi do të ndalen sepse sanksionet e reja do të zbatohen për rreth 90 për qind të importeve të naftës të BE-së.
Kryeministri tha të hënën se Rusia ndaloi furnizimin me gaz për Holandën për shkak të refuzimit të saj për të përmbushur kërkesat ruse për pagesat në rubla, ndërsa edhe Danimarkës pritet t’i ndërpritet furnizimi të martën. Fatkeqësisht, presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të përdorë pagesat në rubla për ndalimin e furnizimeve për vende të ndryshme, tha Petkov për mediat bullgare. Ai shtoi se, me sa duket, çdo vend i BE-së që qëndron në përputhje me kontratën i ka ndërprerë furnizimet.
Për eksportin e drithit ukrainas, kryeministri tha se po shqyrtohen mundësitë për transport përgjatë të ashtuquajturve korridore blu. Sipas tij, Bullgaria ka një nga pozitat më të favorshme në Evropë, sepse është një eksportues i madh i drithit. Petkov tha se të korrat e këtij viti pritet të arrijnë në 7 milionë tonë drithë, ndërsa konsumi i brendshëm është 2 milionë tonë. Bullgaria do të jetë një zgjidhje për problemin dhe nuk do të ketë krizë drithi në Bullgari. Megjithatë, problemi është se drithi është një mall global dhe ndoshta çmimi i tij do të rritet. Nëse nuk ka korridore blu, Bullgaria është një zgjidhje e mundshme dhe porti i Varnës mund të jetë një nga zgjidhjet, ka thënë kryeministri./BTA-KosovaPress/