Drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës.

Siç ka thënë ai për TV Most, kjo është hera e nëntë radhazi që po i ndalohet hyrja në Kosovë.

“E njoftova vizitën time me kohë dhe në përputhje me të gjitha procedurat, por është e qartë se Prishtina nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve kur si negociator kryesor nga Beogradi nuk më lejojnë të hyj në Kosovë, gjë që tregon se Prishtina nuk do që ta vazhdojnë marrëveshjen me Beogradin”, tha Petkoviç për TV Most.

Ai ka deklaruar se “mbase Kurtin e ka shqetësuar që sot kam planifikuar të vizitojë Nemanja Mitroviç-in”, një serb që pala serbe thotë se është sulmuar me thikë.

“A mendon Kurti se mund të fshihet ajo që ka ndodhur me atë të riun, por nuk mundet, ashtu si qindra incidente dhe sulme që ndodhin çdo ditë, mbi gjithçka serbe, në pronën e Kishës Ortodokse Serbe”, shtoi Petkoviç.

Në fakt, shifrat në ajër që lëshon Petkoviç për “qindra sulme”, nuk janë shifra të bazuara sipas organeve të sigurisë.

Në Kosovë nuk ka qindra sulme ndër-etnike. Albanian Post kohë më parë pati publikuar shifrat e siguruara nga policia të sulmeve ndër-etnike dhe nuk bëhej fjalë për qindra, aq më pak për sulme të shqiptarëve ndaj serbëve.

Vetë Petkoviç sa herë vjen në Kosovë mban fjalime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës duke mohuar ekzistencën e shtetit.

/TV Malisheva

Share.