Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, ka thënë se i vetmi që duhet të ndryshojë qëndrim për dialogun me Beogradin është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe më në fund të fillojë të përmbushë obligimet e marra në kuadër të dialogut në Bruksel.
Me rastin e deklaratës së Kurtit se Beogradi duhet të ndryshojë qëndrim në dialog, Petkoviq ka rikujtuar se” kanë kaluar 3322 ditë që nga koha kur Prishtina nuk e formoi Asociacionin e Komunave Serbe dhe nuk janë zbatuar marrëveshje të tjera të shumta në fushën e energjetikës. thuhet në komunikatën e zyrës së Petkoviqit.
Petkoviq shtoi se Prishtina po refuzon të veprojë sipas kërkesave të Beogradit dhe të mundësojë kërkimin e nëntë lokacioneve në Kosovë, për të cilat, sipas tij, “ ka indikacione se fshehin trupat e serbëve të zhdukur dhe të vrarë gjatë luftës”.
“Beogradi ka qëndrimin e tij parimor, që nënkupton kërkimin e një kompromisi në dialog, si i vetmi mekanizëm për zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë, kështu që Kurti nuk do të mund të ndryshojë qëndrimin e Beogradit zyrtar me retorikën e tij shantazhuese”, tha Petkoviq.