Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por se Beogradi duhet të mendojë për serbët që jetojnë në veri.

Në një intervistë për RTS (Radio Televizioni Serb), Petkoviqi u shpreh se Serbia është për paqe dhe siguri në rajon.

Sipas tij, situata në Kosovë nuk është aspak e thjeshtë, duke pasur parasysh se 31 tetori, të cilin kryeministri Albin Kurti e caktoi si afat për riregjistrimin e automjeteve, po afron.

“Me lëvizje të njëanshme ai po mundohet t’ia marrë jetën popullit tonë në Kosovë, të destabilizojë situatën dhe të bëjë presion mbi presidentin Vuçiq dhe Beogradin”, theksoi ai.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se së fundmi ka pasur një bisedë me përfaqësuesit, të Macronit, Scholzit dhe Lajçakut, dhe se nga ta ka marrë një propozim për një kornizë krejtësisht të re për bisedimet në Bruksel.

Ai nënvizoi se propozimi duhet të çojë në zgjidhjen përfundimtare të problemit dhe të gjitha çështjeve të pazgjidhura që lidhen me Kosovën.

/TV Malisheva

Share.