Drejtori i të ashtuquajturës “zyre serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, është takuar me ambasadorin e Japonisë në Beograd, Akira Imamura, të cilin “e ka njoftuar” me situatën në Kosovë dhe ka shprehur “shqetësim” lidhur me vendimin e organeve gjyqësore të Kosovës që Azem Kurtaj të mbrohet nga liria, i cili ka plagosur për dy serbë në Gotovushë ditën e Krishtlindjes.
“Azem Kurtaj ka plagosur Stefan dhe Millosh Stojanoviqin nga Gotovusha në ditën e Krishtlindjeve të këtij viti, sot është bërë e ditur se po mbrohet nga liria”, ka pretenduar Petkoviq, dhe ka shtuar se ky është “një lloj inkurajimi për ekstremistët dhe një mesazh i qartë se drejtësia për serbët në Kosova nuk ekziston”, transmeton Paparaci.
“Petkoviq “ka njoftuar” ambasadorin japonez për dhunën dhe terrorin që regjimi i Albin Kurtit ushtron çdo ditë mbi “popullin serb” dhe për të cilin Beogradi ka tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme, të cilat kanë ndodhur në fund të shtatorit”, pretendohet në njoftimin e zyrës së tij për propagandë kundër Kosovës.
Duke u përpjekur me këmbëngulësi ta arsyetojë sulmin terrorist që ndodhi kohë më parë në veri të Kosovës, të cilin me gjasë e ka organizuar vet regjimi aktual në Serbi, Petkoviq ka pretenduar se “i vetmi fajtor për situatën aktuale në Kosovë është Albin Kurti”, i cili, sipas propagandës së tij, “ngul këmbë në provokime, veprime të njëanshme, arrestime të pabaza dhe akuza të rreme ndaj serbëve, si dhe veprime të paligjshme të falangave të tij speciale që nuk mund të hyjnë në veri të Kosovës sipas asnjë marrëveshje”.
Sipas këtij njoftimi, Petkoviq ka shprehur “shqetësimin e tij” sepse “Albin Kurti ka anuluar marrëveshjet e arritura deri më tani përmes dialogut Beograd-Prishtinë”.
Beogradi, sipas tij, “dëshiron të vazhdojë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kësaj duhet t’i paraprijë de-përshkallëzimi i situatës në terren, ashtu që pjesëtarët e Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i Kosovës”, përfundon njoftimi.
/TV Mallisheva