E ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën ka njoftuar se pjesëtarët e Policisë së Kosovës ua kanë ndaluar sot në mëngjes disa besimtarëve dhe priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe që të marrin pjesë dhe të kryejnë liturgjinë me rastin e festës së shpëtimtarit në kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë.
Pasi Policia e Kosovës nuk lejoi të mbahet liturgjia në kishën e cila gjendet në tokën e Universitetit të Kosovës dhe nuk është në funksion, kjo zyre publikoi një kumtesë ku shkruan: “Serbëve të Kosovës u ndalohet të hyjnë në tempuj dhe faltore, t’i luten Zotit dhe të shprehin besimin, ndërsa tempujt e KOS-it përdhosen çdo ditë dhe ky është realiteti me të cilin jetojnë serbët e Kosovës”.
“Kur besimtarët dhe klerikët u mblodhën para tempullit këtë mëngjes, pjesëtarët e policisë në numër të madh nuk i lejuan ata të afroheshin te tempullit të Krishtit Shpëtimtar ose të hynin brenda”, thuhet në deklaratë.
Priftërinjtë e KOS-it, për të shmangur çdo incident dhe për të mbrojtur besimtarët, u kanë bërë thirrje të mbledhurve që të drejtohen drejt kishës së Shën Nikollës në Prishtinë, ku është kryer liturgjia.
“Nuk ka dyshim se ky akt jo civilizues i Policisë së Kosovës është drejtuar drejtpërdrejt nga autoritetet në Prishtinë dhe tregon qëndrimin e tyre ndaj lirive fetare në Kosovë, Kishës Ortodokse Serbe dhe popullit besimtar serb”, thuhet në deklaratë.
Zyra për Kosovë rikujton se vitin e kaluar në të njëjtin tempull ishte shkruar grafiti “Jezusi i urren serbët”.
Ndërsa drejtori i kësaj të ashtuquajturës zyre, Petar Petkoviq shkroi në Twitter se serbëve u ndalohet të mbajnë liturgji në kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë ndërsa lejohet rindërtimi i shtëpisë së bashkëpunëtorit nazist Xhafer Deva dhe pyeti nëse ato vlera janë të denja për Këshillin e Evropës.
“Prishtina ndalon serbëve liturgjinë në kishën e Krishtit Shpëtimtar, por lejon rindërtimin e shtëpisë së bashkëpunëtorit nazist Xhafer Deva. A janë këto vlera për Këshillin e Evropës?”, ka shkruar Petkoviq.